#lajme, #edicioniinformativ ora 19:30 data 26 Janar 2024 #TvKlan #KlanLajme

Spiker: Reis Çiço

Headlines 26 Janar 2024

Mjekët mund të punojnë privatisht jashtë orarit. 5 spitale shtetërore marrin autonominë.

Pas spitalit memorial të Fierit, i jepet karta e autonomisë edhe QSUT-së dhe 4 spitaleve rajonale. Kryeministri Edi Rama thotë se brenda vitit synohet që mjekët të kenë mundësi të punojnë jashtë orarit në ambientet e spitalit dhe të paguhen shtesë.

Opozita bllokon sërish komisionin e reformës zgjedhore. PD: Po bëhen pazare. PS: Duam konsensus.

Opozita bllokon sërish mbledhjen e komisionit të reformës zgjedhore duke detyruar anëtarët e tij të kalonin online. Demokratët që drejtohen nga Berisha thonë se po bëhen pazare, por Damian Gjiknuri apelon për konsensus.

Kishte “burgosur” familjen, arrestohet 35-vjeçari. Monitoronte me kamera nënën, gruan dhe vajzën.

Një 35-vjeçar u arrestua nga policia e Tiranës pasi mbante të burgosura brenda në banesë nënën, gruan dhe vajzën e tij. Ato nuk lejoheshin të dilnin jashtë dhe monitoroheshin gjatë gjithë kohës me kamera ndërsa u bllokoheshin valët e celularëve.

Stoltenberg: Situata në Ballkan është e brishtë. Potencial për tensione në Kosovë e Bosnje.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg vlerëson se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbetet i brishtë. Duke folur në Bruksel ai veçoi tensionet në veri të Kosovës dhe në Bosnje. Integrimi, sipas tij do të ulë përgjithmonë tensionet.

RMV ME Kryeministër shqiptar. Pendarovski mandaton Talat Xhaferin për krijimin e qeverisë.

Presidenti Stevo Pendarovski ka mandatuar zyrtarisht Talat Xhaferin si kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Ai nesër duhet të dorëzojë përbërjen e qeverisë së tij, e cila bashkë me programin do të votohet të dielën në Kuvend

Shqipëria, miqesore me Suedinë në 25 Mars. Kundërshtari i parë në përgatitjet për Euro 2024.

Shqipëria gjen kundërshtarin e parë në përgatitjet për Euro 2024. Kuqezinjtë e Silvinjos do të luajnë një miqësore me Suedinë më 25 mars në Stokholm. Në 5 përballjet e mëparshme me suedezët kemi vetëm 1 fitore.

/tvklan.al