Lajme, #edicioniinformativ ora 00:05, 12 Maj 2025 #TvKlan #klanlajme
Spiker: Reis Çiço
Headlines 12 Maj 2025
Nis numërimi i votave, dalin rezultatet e para
Shqiptarët votuan sot për të zgjedhur parlamentin e ri, në një proces ku nuk munguan as tensionet. Tashmë në mbarë vendin ka nisur procesi i numërimit, ndërsa KQZ ka filluar të publikojë edhe rezultatet e para nga kutitë e votimit.
Dalin procesverbalet e votimit elektronik në Vorë, PS nis festën
Megjithëse KQZ kishte vendosur që rezultatet e votimit elektronik në Njësinë nr. 10 në Tiranë dhe në Vorë të publikoheshin të hënën, disa nga procesverbalet e printuara janë bërë publike nga media menjëherë pas përfundimit të votimit. Socialistët në Vorë kanë nisur festimet.
Berisha: Të dhënat tregojnë për një dominim të qartë të aleancës sonë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se të dhënat e para tregojnë për një dominim të qartë elektoral të aleancës opozitare. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për përpjekje për të ndikuar në procesin e numërimit përmes grupeve kriminale në disa KZAZ.
42.17% pjesëmarrja në zgjedhje, 6% më pak se në 2021 – më shumë votues në Dibër, më pak në Vlorë
42.17 për qind e zgjedhësve morën pjesë në votimet e së dielës, një rënie prej 6 për qind krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Pjesëmarrja më e lartë u regjistrua në Dibër, me 51.7 për qind, ndërsa më e ulëta në Vlorë, me vetëm 32.6 për qind.
Fotografuan votën, 7 të arrestuar – një i ri në pranga pasi e publikoi në Facebook
Shtatë persona u arrestuan për fotografim të votës në Tiranë, Elbasan, Librazhd dhe Këlcyrë. Gjashtë raste u sinjalizuan nga komisionerët dhe strukturat hetimore. Një i ri u vu në pranga pasi publikoi fotografinë e votës së tij në Facebook.
Zgjedhjet në Shqipëri, jehonë në mediat e huaja: test i rëndësishëm për të ardhmen e vendit
Zgjedhjet parlamentare të kësaj të diele kanë marrë vëmendjen e agjencive dhe mediave ndërkombëtare. Ato i kanë konsideruar këto zgjedhje si një test kyç për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
/tvklan.al