Jazz e Phoenix nuk falin rivalet, konsolidojnë pozitat në perëndim

Ekipet pretendente në NBA kanë treguar edhe njëherë supremacinë e tyre ndaj skuadrave të tjera. Në konferencën e Perëndimit u rikthye menjëherë te fitorja ekipi i Los Angeles Lakers, që mundi 101-93 Charlotte Hornets. Një ndeshje ku diferencën e bëri Kyle Kuzma, autor i 24 pikëve.

Lajmi tjetër i mirë për kampionët në fuqi është rikthimi në stërvitje i LeBron James dhe i Anthony Davis, që mund t’i japin një impuls tjetër në mbyllje të sezonit, për të qenë në formën maksimale në ndeshjet e play-off.

Ndërsa ekipi tjetër i Los Angeles, ai i Clippers, mundi 126-115 Indiana Pacers, takim ku u dallua Paul George, që realizoi 36 pikë. Kryesuesit e Utah Jazz mposhtën 106- 96 Oklahoma City Thunder. Jazz nuk bëjnë dy humbje radhazi. Shkëlqeu Bogdanovic me 23 pikë.

Forcon pozitat në vendin e dytë të renditjes në Perëndim ekipi i Phoenix Suns, që mundi 106-86 Miami Heat, ku u dallua Ayton me 19 pikë e 13 rebound.

Suns po kërcënon Jazz për vendin e parë. Ndeshja mes Brooklyn Nets dhe Minnesotas, e shtyrë 24 orë për shkak të protestave, përfundoi 127-97 në favor të Nets. Edhe pse për miqtë munguan Harden e Irving, ai që bëri diferencën në parket ishte Durant, autor i 31 pikëve. Nets barazojnë Philadelphian në krye të Konferencës së Lindjes.

Klan News