Kampionët e NBA dorëzohen përballë Utah Jazz, triumfon Phoenix

Shkurorëzohen kampionët në fuqi të NBA, të paktën në Konferencën e Perëndimit. Utah Jazz hakmerren ndaj Los Angeles Lakers për humbjen e pak ditëve më parë, duke fituar 111-97 dhe ruajnë kreun e renditjes në këtë konferencë.

Të gjithë titullarët e Jazz realizuan mbi 10 pikë, ndërkohë që shënuesi më i mirë ishte Clarkson me 22 pikë, që e nisi takimin nga stoli. Kalifornianët, përveçse kanë zbritur në vendin e pestë, rrezikojnë ta humbin edhe këtë pozicion.

Te Lakers ndihet shumë mungesa e Lebron James dhe Anthony Davis, që vijojnë të jenë të dëmtuar. Stephen Curry vijon të jetë një përbindësh, duke realizuar 49 pikë në fitoren e Golden State, 107-96 në fushën e Philadelphia. Golden State vijon garën për një vend në ‘play off’ në Perëndim, ndërsa Philadelphia, me këtë humbje rrezikon kreun në Konferencën e Lindjes.

Në sekondën e fundit të kohës shtesë fiton ekipi i Phoenix Suns, që mundi 128-127 Milwaukee Bucks, një përballje mes dy ekipesh pretendente në dy konferencat. Katër lojtarë të Phoenix realizuan mbi 20 pikë, duke i bërë të pavlefshme 33 pikët e Antetokunmpo për Bucks. Në shtesë fiton Denver Nuggets, që mposhti 139-17 Memphis Grizlies. Nikola Jokic shkëlqeu me 47 pikë e 15 rebound.

Klan News