Modernizimi, por edhe ruajtja e historisë së Shqipërisë ka befasuar sipërmarrësin Italian Tonino Lamborghini. I ftuar në podcastin “Flasim” nga kryeministri Edi Rama ai foli për atë që i bëri përshtypje sapo erdhi në vendin tonë.

Tonino Lamborghini: Diçka që e kam fort për zemër është kjo lidhje e ngushtë që ekziston me vendin tuaj, të cilin nuk e njihja dhe për të thënë të drejtën në Itali kur flitet për Shqipërinë duket sikur bëhet fjalë për një vend të prapambetur nëse më lejohet ta them. Unë erdha këtu dhe mbeta i befasuar nga modernizmi, pastërtia, eleganca e ndërtesave të reja dhe nga ruajtja e pjesës historike të vendit tuaj.

Sipërmarrësi Italian thotë se duhet folur më shumë për Shqipërinë

Tonino Lamborghini: Mendoj se duhet folur shumë më tepër për Shqipërinë. Besoj që duhet bërë, sepse vendi juaj është shumë i bukur, është shumë i ngjashëm me temperamentin dhe karakterin miqësor italian dhe është për të ardhur keq që njerëzit mendojnë se Shqipëria është ende një vend, ku të thonë, “ki kujdes, kujdes”. Po ç’kujdes! Me kujdes shkoj në Milano, me kujdes shkoj në Napoli, kurse, vij këtu dhe mund të lëviz rehat. Gjithçka është e pastër, në vendin e vet, pa zhurmë.

Ndërsa vlerësime pati edhe për punën e Kryeministrit.

Tonino Lamborghini: Urime juve që e drejtoni prej shumë vitesh këtë vend dhe unë e di, sepse informohem, që populli ka shumë vlerësim, shumë konsideratë për ju, dhe ju e keni ngritur këtë vend, e keni ngritur në atë pikë që sot është në pozitën për të bërë dialog me vende të cilat kanë historikisht një traditë më të thellë. Nuk është tamam epiteti i duhur. Kështu që, nuk mund t’ju them dot tjetër përveçse “bravo”

Sipërmarrësi i njohur Italian tha se Shqipëria ka potenciale të shumta në fushën e turizmit.

Tonino Lamborghini: Shqipëria ka shumë potenciale mbi turizmin. Nuk e mohoj që, nëse kjo gjë bëhet, duhet të kem se s’bën një apartament për vete dhe për fëmijët, patjetër. Unë nuk jam më shumë i ri, por vazhdoj të udhëtoj shumë, si dhe kam shumë fëmijë. Pse të mos i njoh me një tokë që është ende për t’u eksploruar?

Kryeministri Edi Rama: Ka edhe zona fantastike me natyrën, detin, malet. E them gjithmonë, mendoj se kur Zoti ka krijuar Shqipërinë, ka qenë e diel, ditë pushimi, ka marrë gjithë kohën për të hedhur në 28 mijë kilometra katrorë, në një telajo të vogël, gjithçka: lumenj, male, kodra, dy dete dhe pastaj liqene nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, pastaj vende të tjera në brendësi që janë mbresëlënëse. Ka kaq shumë për të bërë në Shqipëri, që, në disa aspekte, është pak si Italia e gjyshërve tuaj, me mangësitë, po edhe të mirat.

Lamborghini shprehu dëshirën për të investuar në Shqipëri në fushën e hotelerisë dhe turizmit.

Klan News