Përgjigjet Jorida Tabaku: Përfundojmë legalizimin brenda dy viteve të para të mandatit

Rreth 94 mijë familje nuk mund t’i legalizojnë pronat e tyre, pasi ato ndodhen në zona ku ndalohen ndërtimet.

Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, ndërsa bëri një bilan të punës 1 vjeçare të institucionit sqaroi të gjithë ata që kanë marrë përgjigje negative.

Lame nuk la jashtë vëmendjes programin e PD-së, për çështjen e pronave.

“Unë e pashë me shumë kujdes programin e PD në fushën e pronës. Nga njëra anë mund të them me vetëdije të plotë se pata një kënaqësi të brendshme, se nuk kishin shpikur asgjë të re, por vazhdohej me logjikën tonë institucionale. Çdo njeri e kupton se nuk ka rrugë tjetër për të zgjidhur çështjen e pronës përveç asaj ku kemi hyrë. Basha e tha hapur këtë në prezantimin e programit për reformën e pronës, që pika e tyre në këtë fushë ishte anulimi i ligjit 2020. Për fat të mirë, këtë gjë nuk e tha ekspertja që foli pas tij. Sepse e kuptoi edhe ajo që është marrëzi ta thuash”, tha Lame.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i PD-së, që menaxhimin e pronave në 8 vitet e fundit e konsideron si program famëkeq, njësoj si në kohën e komunizmit.

“Qeveria foli për ligjin e pronave i cili njihet si ligji më famëkeq në këto 30 vite dhe i ka kthyer pronarët në të njëjtat nivele. U ka bërë një dëm pronarëve të njëjtë me atë që i bëri regjimi komunist”, tha Tabaku.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës bën të ditur se që prej 2020 është dhjetëfishuar procesi i legalizimit dhe kalimi i shumë shërbimeve online ka lehtësuar procedurat për qytetarët.

Klan News