Kreu i Agjencisë së Legalizimit të Zonave Informale, Artan Lame tha në komisionin parlamentar të veprimtarive prodhuese se objektet që kanë marrë leje legalizimi përgjatë zonës së “Astirit”, të cilat preken nga ndërtimet e Unazës së Madhe, e kanë përfituar këtë dokument në mënyrë të paligjshme.

Lame sqaroi se janë gjithsej 42 ndërtesa të cilat janë legalizuar nga qeveria e Partisë Demokratike, në verën e vitit 2013-ë, periudhë e tranzicionit të pushtetit dhe kërkoi që zyrtarët të cilët kanë bërë këto shkelje të mbajnë përgjegjësi penale.

Artan Lame tha se gabime të tilla janë bërë edhe në kohën kur kanë qeverisur socialistët, por jo në të njëjtën masë. Duke iu referuar me fjalët “masakra” që është bërë me tokën, kreu i agjencisë së legalizimeve prezantoi dy nismat ligjore të cilat i japin fund legalizimit të objekteve që ndërtohen pa leje, përveç 60 mijë që kanë mbetur në proces. Ai sqaroi se shteti tashmë merr rol administrativ dhe nuk është më pronari që ndan tokat.

Me ligjin e ri për kadastrën dhe atë të përfundimit të proceseve të kalimit të pronësisë, qeveria do t’i japë zgjidhje problemit të regjistrimit të tokës bujqësore. Sipas të dhënave paraprake, më shumë se gjysma e akteve të marrjes së tokës në pronësi nuk janë të regjistruara në hipotekë, ndërsa ligji i ri do të kalojë në sitë të gjithë procesin se si është marrë ky akt. Nëse ka patur shkelje, apo akti është dhënë në zona plazhi e truall dhe jo tokë bujqësore, ai do të bëhet i pavlefshëm.

Tv Klan