4 fëmijë të vegjël, të cilët humbën tragjikisht jetën në një zjarr të rënë në shtëpinë e tyre, u përcollën për në banesën e fundit, 5 javë pas tragjedisë.

Riley Holt, 8 vjeç, Keegan Jonathan Unitt, 6 vjeç, Tilly Rose Unitt, 4 vjeç dhe 3-vjeçari Olly Unitt, humbën të gjithë jetën në një zjarr të rënë muajin e shkuar në banesën që ndodhej në Sycamore Lane, Staffordshire.

Dëshmitarë të shumtë treguan se e kishin dëgjuar nënën e tyre të bërtiste “fëmijët e mi, fëmijët e mi”, ndërkohë që shtëpia ishte e mbuluar nga flakët.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, oficerëve të policisë dhe punonjësve të shërbimit të emergjencës, fëmijët nuk qe e mundur që të shpëtoheshin.

Të martën ata u përcollën për në banesën e fundit. Në imazhet e publikuara nga mediat britanike arkivolët e të miturve mund të shihen duke u transportuar në rrugë me karrocë me kuaj dhe lule me të cilat shkruheshin emrat e tyre.

Banorët e zonës vendosën arushë dhe lodra të tjera para dritareve të shtëpive, në nder të të vegjëlve.

Sipas asaj që shkruan “Mirror”, kortezhi kaloi përballë shtëpive në zonën ku jetonte familja, ndërsa në xhamat e tyre shiheshin shumë arushë. Me qindra lodra, arushë, dedikime e lule u vendosën jashtë vendit ku u mbajt ceremonia funerale.

Autoritetet britanike nuk e kanë përcaktuar ende shkakun e zjarrit. Ngjarja tragjike shkaktoi edhe një fushatë masive bamirësie për familjen.

Prindërit e të miturve, Natalie Unitt 24-vjeçe dhe partneri i saj Chris Moulton, 28-vjeç arritën të dilnin nga shtëpia, sëbashku me djalin më të vogël 2-vjeçar.

Ata u arrestuan pak pas ngjarjes për neglizhencë ekstreme, por më pas u lanë të lirë dhe vijojnë të jenë nën hetim.

/tvklan.al