Banesa e fundit e ushtarakëve Floran Delia dhe Donald Hoxha do të jetë te “Varrezat e Dëshmorëve”.

Trupat e pajetë të dy pilotëve të Forcave të Armatosura u përcollën me nderime, pas homazheve të zhvilluara në hollin e Pallateve të Kongreseve.

Në lamtumirën e fundit të dy pilotëve ishin të afërm, kolegë, anëtarë të kabinetit qeveritar, politikanë, ambasadorë, përfaqësues të Forcave Ushtarake, policore dhe qytetare.

Kapiten Floran Delia dhe Toger Donald Hoxha u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” pas vdekjes.

Dy përfaqësuesit e Forcave të Armatosura humbën jetën në mesditën e së mërkurës.

Helikopteri me të cilin ata po kryenin një seancë stërvitore u rrëzua në Liqenin Grizhë të Malësisë së Madhe.

Dy ushtarakët gjetën vdekjen e menjëherëshme. I treti në bordin e helikopterit EuroCopter 145, ushtari profesionist Gerald Baramuça, mbeti i plagosur.

Jashtë rrezikut për jetën, ai është nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Enkelejda Mema/Tv Klan