Mijëra njerëz, duke përfshirë edhe yjet e Formula 1, po i japin lamtumirën e fundit legjendës së Formula 1, Niki Lauda, i cili u nda nga jeta para disa ditësh në moshën 70-vjeçare. Trupi i pajetë i legjendës së garave me makina do të prehet në Vienë, Austri.

Në katedralen e Shën Stefanit po kryhen homazhet në respekt të tij, teksa mbi arkivol është vendosur kokorja e kuqe që Lauda mbante kur garonte për skuderinë Ferrari. Një meshë do të mbahet më vonë gjatë ditës, që do të pasohet nga ceremonia mortore private. Sipas BBC, këtu do të marrë pjesë Lewis Hamilton, Presidenti i Austrisë Alexander Van der Bellen dhe aktori e ish-politikani Arnold Schwarzenegger.

Niki Lauda ka fituar tre herë titujt kampion bote në garat e Formula 1. Austriaku fitoi titujt me skuderinë Ferrari në vitet 1975 dhe 1977, dhe më pas me McLaren në vitin 1984.

Në vitin 1976, ai u përfshi në një aksident të rëndë gjatë garave në pistën e Gjermanisë. Makina e tij shpërtheu në flakë dhe Lauda pësoi djegie të shkallës së tretë në kokë dhe fytyrë. Jo vetëm kaq, por ai thithi tymra toksikë e helmues. Megjithatë, rikuperimi i tij ishte i jashtëzakonshëm. Vetëm 40 ditë pas aksidentit, Niki Lauda u rikthye në pistën e garave.

Niki Lauda u bë një sipërmarrës ajror pas karrierës në garat me makina dhe së fundmi kryetar jo ekzekutiv për skuderinë Mercedes në Formula 1. Në muajin Gusht, Lauda iu nënshtrua transplantit të mushkërive. Disa vite më parë i ishte nënshtruar edhe transplantit të veshkave. /tvklan.al