Kompozitori ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare

Një tjetër ikonë e muzikës shqiptare nuk jeton më. Kompozitori Avni Mula ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare. Lajmin e dha vajza e tij, sopranoja e famshme Inva Mula.

Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës, ku u diplomua si këngëtar lirik. Pas kthimit nga Moska punoi si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit ku u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike.

Në vitet 60 erdhën edhe krijimet e tij të para të rëndësishme, ku ajo që do të kujtohet gjithmonë është “Valsi i lumturisë”.

Në pothuajse të gjitha festivalet, Avni Mula do të ishte aty ku ka marrë edhe disa çmime. Të famshme janë edhe këngë lirike të krijuara prej tij.

Mula numëron edhe vepra të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike. Lamtumirën e fundit Artistit të Popullit dhe Nderit të Kombit, miqtë dhe kolegët do t’ia japin të premten, në hollin e Universitetit të Arteve.

Tv Klan