Aktori i serialit “Ertugrul”, Arda Oziri, është përcjellë mes lotësh për në banesën e fundit ditën e martë, pasi humbi jetën në një aksident me motor.

Ishte ora 3:30 e mëngjesit të së dielës kur motori me të cilin po udhëtonte aktori i njohur i më shumë se 15 serialeve rrëshqiti nga rruga duke u përplasur me barrierat në një lagje të Stambollit.

Të afërm, miq, kolegë e shokë të 39-vjeçarit u mblodhën në Izmir të Turqisë për t’i dhënë lamtumirën e fundit nga salla e Unversitetit të Arteve të Bukura, ku edhe ishte diplomuar.

Në mesin e pjesëmarrësve të shumtë ishin edhe aktorët e shokët e tij të ngushtë, Burak Altay e Riza Kocaoglu.

Kocaoglu, i njohur për rolet në serialet “Ezel” dhe “I infiltruari” kujtoi se Arda, me të cilin kishte kaluar shumë vite në të njëjtën klasë, ishte rritur përpara të tjerëve pasi kishte humbur edhe babanë në moshë shumë të re.

Riza Kocagolu

“Ishte më i shpejti ndër ne. Edhe tani e provoi këtë

”, tha Kocaoglu, ndërsa nëna e aktorit Belkis Oziri dhe e motra Sohret Eyipisiren, mezi qëndronin në këmbë.

Pas disa vitesh aktivizim vetëm në teatër, Arda Oziri u rikthye në ekran me serialin e suksesshëm “Ertugrul”, ku luajti rolin e Goktug, njeriut të besuar të Sadetin Kopek.

/tvklan.al