U përcoll për në banesën e fundit me këngën “L’Italiano”

Kështu i është dhënë lamtumira e fundit legjendës së muzikës italiane, Toto Cutugno.

Brezat e rritur dhe të frymëzuar me muzikën e tij, zgjodhën t’i këndonin për herë të fundit, këngën himn, ‘L’italiano’.

Duke prekur arkëmortin, e duke duartrokitur për të fundit herë artistin e pavdekshëm, turma ndoqi homazhet në bazilikën Santi Nereo e Achilleo në Milano.

Këngëtari italian, Massimo Ranieri, zgjodhi që nderimin e fundit, tia bënte duke kënduar të njëjtën këngë të Cutugno, nga e cila mori njohje ndërkombëtare.

Ndërsa në ceremoninë mortore nuk munguan personazhet e njohur si Gianni Morandi dhe Pupo të cilët së bashku u shfaqen në kishën e madhe të mbushur plot.

Kantautori i mirënjohur ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare në spitalin e San Raffaele pas një sëmundjeje të rëndë.

Ai do të mbetet një nga zërat ikonë, që la gjurmë në historinë e muzikës italiane dhe jo vetëm.

Toto Cutugno do të mbetet në kujtesë jo vetëm si këngëtar, por edhe si tekstshkrues, i shumë hiteve të tjera, mes tyre edhe për Adriano Celentano. Ai është nderuar me dhjetëra çmime dhe ka qenë fitues i shumë kompeticioneve të rëndësishme si Sanremo, dhe Eurovizion, ndërsa është konsideruar si njeriu që i kaloi kufijtë dhe shtroi një rrugë të re për muzikën italiane.

Tv Klan