Vace

Mes tingujve të këngëve të saj që degjoheshin në gjithë sheshin Skënderbej dhe mesazheve të lamtumirës nga të afërm, miq, artistë, personalitete të jetës publike, politike, trupit diplomatik dhe qindra qytetarë kryen homazhe në nder të artistes së madhe të muzikës së lehte dhe popullore,Vaçe Zela.

Gjatë 120 minutave të ceremonisë –homazh, në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, miq e bashkëpunëtorë të saj u ngjitën për të përshëndetur për herë të fundit, divën e skenës shqipare. Disa sollën në kujtesë momente të kaluara bashkë, e disa të tjerë i folën me këngë.

Para arkivolit të mbuluar me flamurin kombëtar, dhuratë e fëmijëve të Lushnjes për 100 Vjetorin e Pavarësisë, u përkulën edhe përfaqësuesit më të lartë të politikës shqiptare.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mesazhin e tij e përcolli përmes një editoriali të titulluar, Duartrokitje për Vaçen.

Ashtu siç edhe e kishte lënë amanet, trupi i pa jetë i këngëtares, jehona e së cilës do të jetojë gjatë u drejtua për në banesën e saj të fundit me duartrokitje dhe karafila të bardhë.

Vaçe Zela i mbylli sytë përgjithmone në moshën 75-vjeçare pas një sëmundje që e mundoi prej vitesh larg atdheut në Bazel të Zvicrës. Nderi i kombit që i dhuroi gjithë shqiptarëve zërin e saj të artë do të prehet në varrezat e Sharrës.