Sistemi i ri në Doganën e Kosovës që mundëson procedura të shkurtuara të transportit është lançuar ditën e sotme. Në përurimin e fillimit të punës së këtij sistemi, i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

Kryeministri Mustafa aktivizoi këtë sistem të ri, duke bërë dërgimin e parë të eksportit përmes këtij sistemi, dërgesë që kaloi në pikën doganore të Vermicës në kufi me Shqipërinë.

Pas takimit, kryeministri Mustafa dhe drejtori i Doganës, Lulzim Rafuna, u deklaruan para gazetarëve.

“Unë vërtetë kisha kënaqësinë sot që të marr pjesë në inaugurimin e një qendre të rëndësishme e cila do të thjeshtëzojë procedurat e doganimit, dhe po ashtu do të rrisë efiçiencën dhe do të ulë shpenzimet edhe të kohës edhe të parave që i kanë pasur bizneset tona lidhur me këtë. Është fjala për një organizim shumë të mirë të drejtorisë së doganave dhe për një performancë që po tregon edhe kjo drejtori edhe Ministria e Financave gjatë periudhës së kaluar dhe këtë vit, sepse ne kemi pasur rritje të të hyrjeve në kufi edhe vitin e kaluar mbi parashikimet” ka thënë ai pas takimit

, raporton Klan Kosova.

Ai ka shtuar se edhe këtë vit ka hyrje të cilat sipas tij i kapërcejnë parashikimet derisa ka thënë se po punohet edhe në shumë fusha të tjera.

“Po punohet mjaft shumë që të mbrohen konsumatorët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës nga importimi i mallrave të dyshimta, të rritet transparenca në eksport dhe në import, dhe që kjo fushë, e cila është fushë shumë e rëndësishme për ne, fusha fiskale të jetë e suksesshme”.

Ndërsa drejtori i Doganave, Lulzim Rafuna ka thënë se kjo procedurë do të ndihmojë prodhuesit.

“Së bashku me kryeministrin përuruam procedurat e shkurtuara të eksportit, një procedurë e cila është në favor të prodhuesve tanë, një procedurë e cila ndikon në uljen e kostos së shpenzimeve për prodhuesit tanë që të eksportojnë sa më lehtë mallra, redukton kohën e pritjes, redukton shpenzimet e përgatitjes së dokumenteve dhe shpenzimeve tjera administrative”.

Sipas Rafunës, ky sistem eliminon diskrecionin e oficerit doganor dhe sipas tij e gjithë kjo bënë pjesë në planin e Qeverisë së Kosovës për të stimuluar sa më shumë prodhuesit që të kemi zhvillim sa më të madh ekonomik./tvklan.al