Fshati i Vërrisë në Fier ka qenë në vëmendje vazhdimisht pas kundërshtisë së banorëve për ndërtimin e inceneratorit të mbetjeve urbane.

Protestë pas proteste, banorët më në fund arritën që çështjen ta çojnë në dyert e Gjykatës Administrative të Tiranës. Sot është mbyllur seanca e parë ndërsa një betejë pritet deri në një përfundim nga gjykata. Pala paditëse, përveçse nga banorët përfaqësohet edhe nga ambientalistë. Ndërsa përballë tyre qëndrojnë disa institucione, firma ndërtuese, Ministria e Mjedisit, ajo e Energjisë dhe Infrastrukturës, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe avokatura e shtetit.

Në seancën e parë gjyqësore vetëm përfaqësues të KKRT dhe ministrisë së mjedisit ishin të pranishëm në sallë. Pala paditëse rënditi pikat kryesore pse nuk duhet lejuar ndërtimi i këtij inceneratori.

Banorët thonë se nuk do të ndalen me betejat gjyqësore derisa të pezullojnë punimet për inceneratorin e mbetjeve. Si pasojë e dëmeve që pritet të sjellë djegia e mbeturinave ata thonë se fshati po braktiset dita ditës.

Klan Plus