Lange: “Tahiri e “Xhafaj”, jo kusht për Gjermaninë

“Korrupsioni, problem kryesor në Shqipëri. Përshpejtoni vetting-un”

Çështja “Tahiri” nuk është një kusht i Gjermanisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. E thotë këtë në Tiranë, Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Christian Lange.

“Nuk është e zakonshme që raste të veçanta të kthehen kusht për projekte europiane”.

Të njëjtin qëndrim, zyrtari i lartë gjerman mbajti edhe për çështjen “Xhafaj”, teksa komentoi deklaratën e bërë nga numri dy i Kancelares Merkel, në CDU/CSU, Johan David Vadeful, i cili u shpreh pak ditë më parë se Ministri i Brendshëm i Shqipërisë është në konflikt interesi.

“E kam dëgjuar deklaratën e kolegut Vadephul dhe mund t’u them se Gjermania nuk e ka traditë të mbajë qëndrime për politikat e brendshme të shteteve. Dhe kjo gjë më ka surprizuar”.

Shqetësim për të në Shqipëri vijon të mbetet korrupsioni. Si dëshmi të këtij fenomeni solli shqetësimin e disa investitorëve të vendit të tij që operojnë në Shqipëri.

“Investitorët gjermanë më sollën në vëmendje se problemi kryesor që kanë është korrupsioni. Korrupsioni mbështet krimin e organizuar, terrorizmin dhe është risk për aparatin e sigurisë. Korrupsioni në sistemin e drejtësisë pengon qasjen në gjyqësor, që është baza për sistemin e drejtësisë dhe për një proces të ndershëm.

Ndaj dhe vazhdimin e zbatimit të vetting-ut e quan shumë të rëndësishëm e kërkon një tjetër ritëm.

“Ky proces jo vetëm duhet të vijojë, por edhe duhet përshpejtuar.”

Gjermania ende nuk ka një vendim lidhur me Shqipërinë, por për zyrtarin e lartë gjerman, reforma në drejtësi do të jetë kyçe në vendimmarrjen për hapjen e negociatave.

Tv Klan

Kategori
Lajmet KryesorePolitikaTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*






Emisione