Kreu i “Nismës Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ishte në “lupën” e gazetarit e moderatorit të emisionit “Opinion” në Tv Klan, Blendi Fevziu, ku iu përgjigj një sërë pyetjesh. Lapaj foli për çështje të rëndësishme politike, duke përfshirë këtu edhe programin që nisma e tij ka për zgjedhjet e 11 Majit.

Prej kohësh Lapaj i ka dhënë një rëndësi të madhe votës së diasporës, ku angazhimi i tij për të realizuar këtë votim nga jashtë vendit ka qenë domethënës. Por, pyetjet e gazetarit Blendi Fevziu nxorën në pah një bindje shumë të madhe të Lapajt, i cili pretendon se nisma e tij do të marrë “minimalisht” 1 në 3 vota në diasporë.

Blendi Fevziu: Lapaj pse ju jeni fokusuar në mënyrë më intensive, për hir të së vërtetës edhe më herët tek diaspora?

Adriatik Lapaj: Sepse unë besoj fort tek Kushtetuta jonë. Neni 45 pika 1 e Kushtetutës përcakton qartë që çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, pra është një e drejtë Kushtetuese. E dyta, unë besoj fort që shqiptarët në diasporë janë më të lirë për të votuar, ashtu siç e ndjejnë ata. Nuk kërcënohen me kempet, me vendet e punës, me të fortët, me kartat e identitetit, nuk punojnë në administratë.

Blendi Fevziu: Por ama mund të mos jenë dhe aq mirë të informuar sa ata që janë këtu.

Adriatik Lapaj: Janë sepse sipas statistikave të mia, vitin e kaluar kanë hyrë 2.1 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë në atdhe.

Blendi Fevziu: Ama të vish për pushime, të kalosh mirë e të dalësh në plazh nuk është e njëjta si ta jetosh jetën këtu.

Adriatik Lapaj: S’është e vërtetë sepse janë ata shqiptarë aty që u dërgojnë ilaçe familjarëve që i marrin dhe i shërojnë atje, që u dërgojnë para për të jetuar, që nuk u marrin dot certifikatat e pronës, e dinë shumë mirë të vërtetën ata dhe kjo është arsyeja pse mbushen plot sallat e aktiviteteve tona.

Blendi Fevziu: Si mendoni ju se do të reagojë diaspora për forcën tuaj politike, si e prisni rezultatin në diasporë?

Adriatik Lapaj: Unë mendoj se ne do të marrim minimalisht 1 në 3 vota në diasporë. Minimalisht!/tvklan.al