Kamionët e parë kalojnë në orët e para të mëngjesit diku pranë Rrëshenit të mbushur me refugjatë të ardhur nga Kosova, me fytyra të vrara, me lot e pa shpresë. Rrugës shohim autobuzët nga rrethe të ndryshme të cilët do marrin kosovarët e sapoardhur në Kukës për t’i strehuar nëpër shtëpitë e familjeve. Në Fushë Arrëz disa kosovarë kanë ndalur per t’u shlodhur. Kanë katër ditë që udhëtojnë me fëmijë të vegjël dhe pleq.

Në dëshmitë e kosovarëve notat tragjike të së kaluarës së tyre janë tepër të theksuara. Disa prej tyre të thonë se kanë qënë dëshmitarë të krimeve më të tmerrshme. Babai detyrohet me forcë të shohë vrasjen e bijve. Kështu i ka ndodhur një plaku nga Peja të cilit ushtarët serb i vranë tre djem para syve te tij e më pas i morën kufomat. Rruga për në Kukës është e mbushur me makina, Ifa të Ushtrisë, furgona, autobuzë dhe traktorët me refugjatë që largohen. Kanë tre ditë që udhëtojnë.

Nga dëshmitë e tyre kupton se terrori serb ka masakruar vatrat e tyre, jetën e tyre. Ato thonë se serbët ndjekin të njejtën skenë. Rrethojnë fshatin e më pas japin ultimatum për braktisjen e shtëpive të tyre. Ata që nuk pranojnë të ikin kanë vdekjen e sigurtë.

Në afërsi të Kukësit janë me dhjetra e qindra makina të ardhur nga kufiri me Serbinë. Maunet me miell shkojnë drejt Kukësit. Rrugës shohim një plak me një grua e vajzë që tundin një foshnje dhe që u ka rënë goma e zetorit, të cilët kanë tre orë që presin t’i ndihmojnë.

Sheshi kryesor i Kukësit është i tejmbushur me kosovarë të cilët i drejtohen furgonëve e kamionëve të drejtuar pikërisht nga Pushteti Lokal të cilët i drejtojnë ata në qytete të ndryshme. Me 29 Mars kanë ardhur 75 mijë refugjatë në Kukës. I ftohti po vjen dhe ata presin në makina të zbuluara të ikin. Situata e rëndë në Kukës detyron politikanët ta vizitojnë atë gjithnjë e më shpesh. Një qytetar kuksian i ofron shtëpinë e tij të re. Dita e nesërme e gjen Kukësin me refugjatë të rinj të cilët kanë udhëtuar gjithë natën. Janë nga Prishtina.

Në këto momente mbërrijnë disa të rinj ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tyre misioni i tyre është rikthimi në Kosovë i meshkujve mbi 18 vjeç. Nëpër vende publike UÇK-ja ka vënë lajmërime ku bën thirrje kosovarëve të ardhur në Shqipëri të kthehen të luftojnë madje sheh ushtarë të UÇK duke bindur bashkëkombasit të rikthehen në front. Një pjesëtar i UÇK i bën apel rinisë shqiptare mos t’i lëshojë trojet e veta dhe të kthehen të gjithë në Kosovë e të rrokin armët dhe ta largojmë një herë e mirë Millosheviçin e klikën e tij.

Kamionët e Hidrocentralit të Fierzës kanë lënë punën për të transportuar refugjatët. Kryqi i Kuq po shpërndan bukë. Nga pika kufitare e Morinës sapo kanë hyrë refugjatë nga Prizreni, Gjakova e Hasi. Pas disa ferrave dallohen disa ushtarë serb të cilët ndodhen në pozicion luftimi. Para pak ditësh serbët kanë qëlluar në drejtim të pikës së Morinës, shenjat e plumbave janë akoma të dukshëm. Dëshmitë e sapo të ardhurve janë mjaft prekëse.

Ata tregojnë se serbi i ka djegë shtëpitë, i ka marrë djemtë. Një plak shprehet me lot kur kujton vuajtjet e tij. Marshimi i të dëbuarve rinis. Një popull po përndiqet, po kërcënohet, po vritet. Kosova tani ndihet më e braktisur se kurrë./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj