Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk ka ndërmend që të dorëhiqet pas daljes nga koalicionit të Listës Serbe.
Duke folur për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e ka konsideruar të pakuptimtë largimin nga qeveria të Listës Serbe, megjithatë e ka ftuar këtë forcë politike që të reflektojë për vendimin që ka marrë.
Lista Serbe deklaroi sot daljen nga Qeveria e Kosovës pas arrestimit një ditë më parë të zyrtarit serb Marko Gjuriç. Këtë veprim të policisë kosovare, Haradinaj e quajti zbatim të ligjit pasi Gjuriç kishte hyrë pa leje në territorin e Kosovës.
Ky veprim, tha Kryeministri Haradinaj, nuk ishte demonstrim force as ndaj banorëve serbë në veri dhe as ndaj zyrtarëve serbë.
/tvklan.al