Ministri i Jashtëm rus thotë se Moska hoqi dorë nga marrëveshja e grurit pasi perëndimi nuk përmbushi premtimet e bëra

Plani i paqes i propozuar nga Ukraina për dhënien fund të luftës për ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov është i papranueshëm.

Duke folur nga OKB, Lavrov e cilësoi ‘jo realiste’ planin për paqen, por edhe propozimet e fundit të OKB-së për të ringjallur marrëveshjen e Detit të Zi për grurin.

“Kjo është tërësisht e pamundur. Nuk është realiste dhe të gjithë e kuptojnë këtë, por në të njëjtën kohë, ata thonë se kjo është baza e vetme për negociata”.

Lavrov theksoi se nëse Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë u qëndrojnë besnik bindjeve të tyre atëherë konflikti do të zgjidhet në fushën e betejës.

Formula e paqes e propozuar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, përfshin respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës dhe rivendosjen e parimeve të OKB-së.

Ndër të tjera ai shpjegoi se Moska u largua nga marrëveshja e Detit të Zi për grurin sepse premtimet e bëra ndaj Rusisë, përfshirë heqjen e sanksioneve ndaj një banke ruse dhe rilidhjen e saj me sistemin global të pagesave Swift nuk ishin përmbushur.

Lavrov tha gjithashtu se do të vizitojë Phenianin muajin e ardhshëm për të vazhduar negociatat me homologun e tij atje pas marrëveshjeve të fundit të bëra nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un në Moskë.

Klan News