Reagon Izraeli: Kërko falje. Gabim i tmerrshëm

Në të parën intervistë për mediat perëndimore pas nisjes së sulmit në Ukrainë, dhënë televizionit italian TGCOM ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov shkaktoi polemika kur foli për të shkuarën hebreje të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski. Për të mbështetur kauzën e denazifikimit të Ukrainës si shkak për nisjen e sulmit rus, Lavrov e shpjegon sipas variantit të tij mbështetjen që një hebre si Zelenski u jep njësive neonaziste që luftojnë kundër rusëve në Ukrainë, si divizioni Azov.

“Dhe kur thonë “ç’nazifikim mund të jetë kur jemi hebrenj” sipas meje edhe Hitleri kishte prejardhje hebreje. Prej kohësh qarkullojnë shprehje nga urtësia popullore hebreje, që thonë se anti-semitët më të mëdhenj janë vetë hebrenjtë”.

Ashpër reagoi ministri i jashtëm i Izraelit.

“Është e pafalshme, deklaratë skandaloze dhe një gabim i tmerrshëm historik. Presim të kërkojë falje”.

Lavrov thotë megjithatë se Moska nuk kërkon largimin e Zelenskit nga pushteti.

“Jo nuk duam dorëzimin e tij. Zelenski mund të sjellë paqen nëse urdhëron kriminelët, batalionet e tij naziste, të ulin armët”.

Rusia pretendon se të etiketuarit prej saj si “neonazistë” mbajnë peng popullin ukrainas. Sa i përket masakrave ndaj civilëve në Buça, Lavrov mohon sërish çdo përgjegjësi të ushtrisë ruse.

Tv Klan