Lazio mori për herë të shtatë Kupën e Italisë, një trofe që kthehet pas 6 vitesh tek ekipi kryeqytetas. Triumfi 2 – 0 në finale me Atalanta, bëri që Thomas Strakosha të festonte në fund, ndërsa Berat Gjimshiti dhe Etrit Berisha të përshëndesnin fituesin.

Një paraqitje e mirë e Strakoshës, i cili u vlerësua me notën 6,5. Portieri i Lazio u shfaq i gatshëm kur duhej. Kritika për Gjimshitin, i cili pas nisjes së mirë u fajësua në rastin e golit të parë. Ai mori notën 5, ndërsa Berisha nuk u aktivizua. Një arritje për të kurorëzuar punën e këtij grupit sipas trajnerit Simone Inzaghi.

Simone Inzaghi, trajner i Lazio:

Jam i lumtur për djemtë, pasi kemi punuar shumë gjatë këtyre 3 viteve punë, pastaj të fitosh në stadiumin tonë përpara tifozëve është diçka që do të mbetet.  

E ardhmja e Simone Inzaghi në stolin e Lazio u konfirmua nga drejtori sportive Igli Tare në një deklaratë për Rai Sport. Për trajnerin e Atalanta, Gian Piero Gasperini, rezultati u kushtëzua nga një penallti e padhënë.

Gian Piero Gasperini, trajner i Atalanta :

Është një episod tepër i rëndësishëm, pasi kemi parë 11-metërsha këtë vit për prekje me dorë të vështirë për tu pikasur dhe ky është aq i qartë përfshi një karton të dytë të verdhë për Bastos dhe vendosi Kupën e Italisë.

Kjo finale e luajtur në Romë, nuk kaloi e qetë. Para takimit pati përleshje mes tifozëve të Lazio dhe policisë, ku nuk munguan të lënduarit.

Tv Klan