Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar pranë Prokurorisë Speciale të Republikës disa kallëzime penale, që akuzojnë partinë e Albin Kurtit, Lëvizjen Vetëvendosje.

Këto kallëzime penale u dorëzuan nga deputetët Hykmete Bajrami dhe Doarsa Kica-Xhelili, siç raporton Klan Kosova. Sipas LDK-së, Vetëvendosja ka keqpërdorur pozitën e autoritetin zyrtar në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Lidhja Demokratike shprehet se që nga data 27 Mars e deri më sot, Vetëvendosje ka shfrytëzuar burimet e shtetit, e kanë marrë vendime që kanë pasoja financiare për Kosovën, duke pasuar në këtë mënyrë në konsumimin e veprave penale.

“Pas certifikimit të tyre si deputetë më 27 mars, këta zyrtarë kanë vazhduar të ushtrojnë funksione ekzekutive, duke marrë vendime të një natyre që ndalohet qartësisht nga neni 26 i Ligjit për Qeverinë, i cili kërkon dorëheqje të detyrueshme nga pozita qeveritare në rast të certifikimit si deputet. Duke mos u larguar nga funksionet ekzekutive dhe duke vazhduar të përdorin burimet institucionale të shtetit, të dyshuarit kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe kanë prodhuar pasoja konkrete institucionale, financiare dhe juridike.

“Këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të parimeve të shtetit të së drejtës dhe konsumojnë elementet e veprës penale të nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në kallëzimin e depozituar.

Sakaq, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiu, sugjeroi më herët ngritjen e një qeverie tranzicioni.

/tvklan.al