Analistët: Duhet reformë e thellë pas humbjes në zgjedhje

14 Marsi është data që pritet të mbahet Kuvendi Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo parti ka paralajmëruar reforma të thella pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e14 Shkurtit.

Jehona Lushaku analiste politike thotë se kjo parti duhet të ketë reformë të vërtetë dhe jo kozmetike në mënyrë që të rikthejë elektoratin e humbur.

“Kjo kërkon një reformim të thellë të brendshëm, një seriozitet në mirëbesimin dhe ndërtimin e besimit me elektoratin sërish. Kjo ka shumë të bëjë me strategjinë, strukturën, vizionin e saj por edhe me gatishmërinë për tu reformuar.”

Për analistin tjetër Arton Demhasaj deklaratat e disa anëtarëve të LDK-së të lënë të nënkuptosh se kjo reformë është më shumë kozmetike.

“Mënyra se si po u revanshohen kandidatëve që e kanë shprehur vullnetin për të qenë kandidat potencial për kryetar të partisë në njëfarë mënyre po duket si një tendecë për reformë por momentalisht nuk po duket reformë. Mbetet të shihet.”

Deri më tash është vetëm Anton Çuni që ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së. Emra tjerë të përfolur është ai i Lutfi Hazirit, Kujtim Shalës dhe Lumir Abdixhikut.

Po a ekziston rreziku që për shkak të apetiteve të personave të caktuar të përçahet edhe më tej kjo parti.

“Në çdo parti ka mendime të ndryshme, mendoj që LDK ka toleruar më së shumti mendime ndryshe brenda saj. Besoj që me një vullnet të mirë dhe me një kuptim ndaj kërkesës së elektoratit do të gjendet zgjidhja,” tha analistja Lushaku.

Ndërsa Demhasaj u shpreh se “me marrëveshje të grupeve të caktuara brenda partisë mund të shndërrohet një përcarje më e thellë e LDK-së, që mund të çojë partinë drej një fundosjeje përfundimtare”

Lidhja Demokratike e Kosovës që ishte e para për një kohë të gjatë, në zgjedhjet e fundit ka pësuar një humbje të thellë duke fituar besimin e vetëm 13 përqind të elektoratit. 

Klan News