Mustafa: Beogradi e Prishtina të negociojnë pa kushte

Kanë mbetur edhe disa çështje ekonomike dhe sociale për të cilat ende nuk kanë arritur pajtueshmëri Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse dje janë përmbyllur takimet në nivel të grupeve punuese.

Këto dhe çështja e ndarjes së Ministrive dhe ajo e dialogut do të diskutohen në nivel të liderëve politik që do të diskutohen pas certifikimit të zgjedhjeve, bëri të ditur kryetari i LDK-së Isa Mustafa pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie.

“Janë disa çështje të ekonomisë që kanë të bëjnë me çështjen e shfrytëzimit të mjeteve nga privatizimi, ka përafrime te çështjet e tatimit. Tek çështjet sociale ka pak dallime”.

Mustafa tha se nuk është ithtar i vënies së kushteve për të vazhduar procesi i dialogut, megjithatë përkrah idenë e LVV-së për reciprocitet ndaj Serbisë.

“Bashkë me LVV-në do ta aplikojmë reciprocitetin. Dialogu duhet të bëhet pa kushte. S’mund të vënë kushte as Serbia as Kosova”.

Pas shpalles së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, kanë arritur 100 ankesa nga partitë politike ku prin Partia Liberale Serbe me 42 e pasuar nga LDK-ja me 23.

PZAP-ja ka 72 orë kohë për t’i shqyrtuar të gjitha këto ankesa dhe nëse ndonjë parti nuk është e kënaqur me përgjigjen, atëherë ka 24 orë kohë të tjera për t’u ankuar në Gjykatën Supreme.

Tv Klan