Hoxhaj refuzon aleancën me vetëvendosjen

LDK mori goditjen më të fortë në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë duke regjistruar rezultanin më të dobët në historinë e saj. Përgjegjësinë për humbjen e mori kryeministri në detyrë Avdullah Hoti.

“Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.

Vendi i dytë në zgjedhje nuk e ka kënaqur Enver Hoxhajn e PDK ndaj u shfaq i tensionuar para gazetarëve.

“PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë”, tha Hoxhaj në një konferencë për media.

Ramush Haradinaj nuk kishte pritshmëri nga ky proces elektoral. Teksa uroi fituesit përsëriti qëndrimin e tij për të bashkëpunuar për formimin e qeverisë së re.

Haradinaj ka si kusht të bashkëpunimit postin e presidentit.

Klan News