Lidhja Demokratike e Kosovës i ka thënë jo ftesës së Vetëvendosjes për një koalicion qeverisës ndërsa ka propozuar qeveri të tranzicionit me të gjitha partitë shqiptare.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thotë se kjo qeveri duhet të funksionojë deri në pranverën e ardhshme.

“Një krize të madhe të brendshme dhe të jashtme politike në Republikën e Kosovës, para se të shkojmë në zgjedhje na duhet një qeveri kombëtare e tranzicionit, pjesë e së cilës janë të gjitha qeveritë shqiptare”, shprehet kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se është i gatshëm për takime me liderë partiakë në momentin e parë që ata duan. Ndërsa propozon një kryeministër unifikues.

“Nuk po flasim për pozicione, por për parime bazike të shpëtimit të gjendjes së tanishme të Republikës së Kosovës. Kërkoj unitet,përbashkim dhe ky është moment historik që duhet ta shfrytëzojmë të gjithë bashkarisht”, thekson Abdixhiku.

Nga Vetëvendosje nuk ka ndonjë reagim zyrtar, përveç disa deputetë që e kanë quajtur të pamundur një qeveri të tillë. As nga PDK ende nuk ka ndonjë reagim. E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tashmë i ka thënë po propozimit ka bërë të ditur Abdixhiku.

Tv Klan