“Nga veriu në jug, i mbushur me histori”

I çliruar nga zinxhirët staliniste, vendi i shqiponjave rishfaqet pa e humbur shpirtin. Nga mbetjet e lashta të qyteteve mijëravjeçare e deri te hapësirat e ruajtura natyrore, Shqipëria është një vend ideal për pushime të qeta.

Këtë rekomandim ka bërë prestigjiozja franceze “Le Figaro” që në një nga shkrimet e saj dedikuar udhëtimeve këtë herë është ndalur tek Shqipëria. Gazeta bën 2 sugjerime të veçanta për të njohur sipas saj më mirë vendin. Sipas saj udhëtimi duhet të nisë me një ndalesë në Tiranë, një kryeqytet me mjaft surpriza të fshehura. Gërshetim i arkitekturës italiane me atë komuniste ku nuk duhen lënë pa vizituar sheshi Skënderbej, xhamia e Namazgjasë apo Kulla e Sahatit.

Më pas një udhëtim drejt Beratit që konsiderohet një mrekulli e trashëgimisë osmane, qyteti i 1 mijë dritareve i listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Pas tij sugjerohet Gjirokastra me kështjellën e saj mesjetare. Vendlindja e Kadaresë, por edhe Enver Hoxhës, gazetarja sugjeron muzetë dhe vizitën në pazarin karakteristik. Në fund Saranda një vendpushim fantastik në Rivierën Shqiptare.

Por “Le Figaro” sugjeron edhe një tjetër itinerar për lexuesit e saj. Nga Tirana drejt Pogradecit për të shijuar Linin dhe ujërat e liqenit të Ohrit. Më pas Rehova në Kolonjë për të dalë tek ujërat termale të Bënjës në Përmet. Udhëtimi mund të vijojë drejt Llogarasë dhe për të vazhduar në bregdetin e Vlorës.

Ajo që nuk mungon asnjëherë përveç ushqimeve tradicionale si byreku e rakia, gazeta franceze thotë se është mikpritja e pakursyer e shqiptarëve.   

Klan News