37-vjeçari pritet të firmosë një kontratë nga ku do fitojë 98 mln dollarë

Aventura e LeBron James me Los Anxhelos Lejkërs nuk ka të ndalur. Ylli i basketbollit amerikan është gati për të vijuar bashkëpunimin me skuadrën perëndimore edhe për të tjerë sezone. James, i cili tani është 37 vjeç, është pajtuar në parim për zgjatjen e marrëveshjes që do ta mbajë te skuadra nga Los Anxhelos me të paktën dy vite.

Nga kjo kontratë, besohet se LeBron James do të përfitojë në total një shifër prej 98 milionë dollarë. Një problem që mund të paraqitet në këtë mes është fakti se shtatlarti amerikan kohë më parë u shpreh se do ta ndjek edhe dëshirën e djalit të tij, Bronny James. Kudo ku ai ndihet më mirë, aty do të jetë edhe e ardhmja e LeBron si basketbollist profesionist.

Mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm për njërin prej lojtarëve më të mirë në histori. Sezonin e kaluar James pati një mesatare mbresëlënëse prej 30.3 pikësh, 6.2 asiste dhe 8.2 rebaund për ndeshje, në 56 duelet e zhvilluara.

Ai gjithashtu ka një mesatare prej 37.2 minutash në parket, më e larta e tij që nga sezoni 2016-2017. Aktualisht, LeBron James ka një kontratë që e mban te Lejkërs edhe në sezonin 2022-2023.

Klan News