Brenda banesës së 71-vjeçarit pas ekzekutimit nga RENEA

Me tritol të bërë gati për ta ndezur, kallashnikov dhe municione të tjera. Ky ishte momenti kur forcat speciale e RENEA-s u futën brenda banesës së 71-vjeçarit Lefter Zhidru në Elbasan.

Plumbat shpërthyen nga të dyja palët, por ai u qëllua vetëm nga një i vetëm, me snajper. Gjurmët e të shtënave janë ngado, siç tregojnë këto pamje të kamerës së Tv Klan, që u fut brenda banesës se të moshuarit.

Një ditë pas ngjarjes në banesë erdhi edhe bashkëshortja, Floresha Zhidru, për ka marrë sendet e saj. Ishte ajo që njoftoi policinë për konfliktin me të shoqin dhe pas kësaj ai nisi të qëllonte drejt forcave të rendit, duke plagosur edhe dy të rinj, kalimtarë të rastit. 

Por pavarësisht problemeve në familje, ajo nuk ka qenë dakord me veprimin e policisë, që ndërhyri pasi 71-vjeçari refuzoi të dorëzohej pas 5 orë negociatash, duke mbajtur gjithë qytetin në ankth.

“T’i kërkojë llogari shtetit. Duhet t’ju kërkojnë llogari juve. Mos më kërkoni llogari për drejtësinë e tim shoqi. Gjaku jot, o burrë. Qe një familje e ndershme, o burrë”.

Fqinjët e përshkruajnë ngjarjen si terror.

Fqinji 1: “Qe shumë e trishtueshme, shumë e frikshme të them të drejtën”.

Fqinji 2: “Terror ishte“.

Fqinji 3: “Frikë patëm pak”.

Tregojnë se familja Zhidru ka pasur gjithmonë probleme. Shpesh konfliktohej edhe me fqinjët, të cilët e kishin denoncuar në polici.

“Kushedi sa herë kanë shkuar në polici. Kushedi sa herë kemi bërë fletë kërkese që të largohej nga hyrja faktikisht”, thotë një prej fqinjve.

Ankesat e banorëve kishin shkuar me anë te letrave deri te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Zhidru kishte njohuri mjaft të mira për armët pasi kishte qenë pjesë për pak kohë e radhëve të policisë. Ai kishte punuar për disa vite në Uzinën e Mjekësit në Elbasan, ndaj kishte njohuri në montimin e eksplozivëve.

Policia po heton edhe për të zbuluar se ku i kishte siguruar ai kallashnikovin, një pistoletë, municionet dhe lëndën eksplozive.

Tv Klan