Lame: 3 në 4 pallate kalojnë në proces legalizimi

Një kompleks banimi me rreth 110 apartamente dhe rreth 20 njësi shërbimi në lagjen Kinostudio të Tiranës është pajisur me leje legalizimi. Bëhet fjalë për pallate që subjekti ndërtues nuk e ka ndjekur legalizimin. Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës tha se janë të shumta pallatet e braktisura nga ndërtuesit.

“Legalizimi i pallateve të braktisura nga ndërtuesit është një histori suksesi me rreth 980 pallate të legalizuara përgjatë 3 viteve të fundit, kur ky proces i kaloi Agjensisë së Kadastrës”.

Lame saktësoi se për të tilla objekte nuk mund të ketë legalizime individuale, ndaj kërkohet bashkëpunimi i të gjithë banorëve të pallatit për këtë proces.

“Vijnë e më kërkojnë që të bëjnë legalizimin vetëm të apartamentit të tyre. Jo. Nuk mund të legalizohet vetëm një apartament. Duhet të bëheni të gjithë bashkë për ta përfunduar këtë proces shumë të rëndësishëm”.

Sipas Agjencisë së Kadastrës afro 3 në çdo 4 pallate të ndërtuara me leje përgjatë 25 vjetëve të fundit, regjistrohen jo përmes rrugës normale, por përmes procesit të legalizimit. Kjo për probleme si shkelja e lejes nga ndërtuesit, braktisja e ndërtimit, falimentimi i subjekteve ndërtuese, etj.

Tv Klan