Basketbolli është në zi. Sporti është në zi. Kobe Bryant, lojtari që inspiroi një gjeneratë të tërë tifozësh dhe lojtarësh, humbi jetën në një aksident me helikopter në California në moshën 41-vjeçare. Sëbashku me të humbi jetën edhe vajza e tij, 13-vjeçarja Gianna.

Bryant ishte një nga lojtarët më të arrirë në historinë e NBA-së. Ai ka marrë pjesë 18 herë në ekipin All Star. Dy herë është shpallur lojtari i ndeshjes në dy finale të NBA-së, ndërsa në sezonin 2007-2008 u shpall lojtari më i votuar i ligës.

Ai ka luajtur edhe me ekipin kombëtar të SHBA-ve ku ka fituar dy medalje të arta. Bryant është lojtari i dytë në historinë e NBA-së që ka arritur të shënojë 81 pikë në një ndeshje të vetme. Në ndeshjen e tij të fundit në 2016-n, ai shënoi 60 pikë.

Të shtunën, LeBeron James ia kaloi Bryant dhe u bë lojtari i tretë në historinë e ligës së basketbollit amerikan si shënues. Këtë fakt, Bryant e përshëndeti me një postim në Tëitter dhe uroi lojtarin amerikan.

Kobe Bryant padyshim që është një figurë gjigande që inspiroi një gjeneratë të tërë basketbollistësh si në SHBA, ashtu dhe ndërkombëtarisht. Bryant debutoi në vitin 1996, kur ishte vetëm 18 vjeç me Los Angelos Lakers, skuadër për të cilën luajti 20 vjet.

Sëbashku me Shaquille O’Neal çuan Lakers-at drejt fitimit të kampionatit 3 sezone rresht. Gjithashtu, ish-basketbollisti, fitoi edhe dy tituj të tjerë nga sezonet 2008-2010.

Fama e tij shkoi përtej Los Angeles-it. Ai kryeson shitjet e fanellave në historinë e ligës së basketbollit. Gjithashtu mendohet se ka shitur më shumë bluza ndërkombëtarisht se të gjithë lojtarët e tjerë, përveç Michael Jordan. Fakti që fliste anglisht, spanjisht dhe italisht e bëri që Bryant të ishte i njohur edhe ndërkombëtarisht.

Gjatë lojës, Bryant do të kujtohet si një nga kundërshtarët më të egër, i palodhur dhe kërkues ndaj shokëve të skuadrës. Insistimi, mjeshtëria e gjuajtjes së topave, pozicioni i mbrojtjes dhe fortësia e bënë atë një prej lojtarëve më të adhuruar në një kohë kur dominonte Chicago Bulls me legjendën Michael Jordan.

Ish-basketbollisti i inspiroi njerëzit me atë që e quante “Mentaliteti Mamba”, të cilën e përshkruante kështu: “Nëse më shikoni duke u zënë me një ari, lutuni për ariun”.

Disiplina, fitoret dhe personaliteti vendimtar e bënë një nga lojtarët më të dashur për publikun. Por në vitin 2003 ai do të përfshihej në një skandal, kur një 19-vjeçare, punonjëse në një hotele e akuzoi për përdhunim. Bryant e pranoi se kishte tradhtuar të shoqen, por nuk pranoi kurrë akuzat për sulm ndaj të resë. Më vonë, akuzat u hodhën poshtë dhe palët gjetën një marrëveshje.

Por ajo që nuk duhet dyshuar kurrë është dashuria e tij për basketbollin dhe admirimi që kishte për katër vajzat, njëra prej të cilave, Gianna, vdiq me të gjatë aksidentit ajror. Ai u bë pjesë edhe e një filmi të quajtur “Dear Basketboll”, me të cilin fitoi një çmim Oscar.

Humbja e Bryant është konsideruar si tërmet i keq, jo vetëm për basketbollin, por për një gjeneratë tifozësh në Los Angeles, të cilët në muret e tyre kanë varur posterat e ish-basketbollistit. Humbja e një legjende, një superstari basketbolli, njeriu familjar dhe një ambasadori sporti është padyshim një tragjedi e dukshme, e cila ka tronditur botën.

Pas vdekjes së tij basketbollistit, trajneri David Fizdale tha për mediat se ,“Lakers-at janë zemra e Los Angeles dhe Kobe Bryant ishte gjaku që rridhte në të”./tvklan.al