Disa nga futbollistët shqiptarë treguan paraqitje të shkëlqyera në klubet e tyre në sfidat e fundit.
Padyshim lojtari më në formë sa i përket legjionarëve, është Julian Shehu. Pas debutimit me Kombëtaren shqiptare, mesfushori vazhdon të shkëlqejë me gola në Poloni.
Shehu shënoi për të dytën ndeshje radhazi te Widzew Lodz. Shqiptari ishte një nga autorët e golave në fitoren 2-0 ndaj Lechia Gdansk. Përveç golit, Shehu zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe u shpall lojtari i ndeshjes, me notën 7.9 nga sajti i specializuar për statistika, Sofascore.
Ernest Muçi u rikthye te goli në Turqi me fanellën e Besiktas. Sulmuesi kuqezi realizoi në çerekfinalen e Kupës së Turqisë ndaj Goztepe. Pavarësisht golit të tij, Besiktas u eliminua pas humbjes 1-3.
Një tjetër paraqitje pozitive në çerekfinalet e Kupës së Turqisë regjistroi edhe Taulant Seferi me Bodrumspor. Ai shënoi në minutën e 15-të dhe asistoi për golin e dytë në të 20-ën ndaj Trabzonspor. Megjithatë, në fund Bodrumspor u eliminua pasi ndeshja përfundoi 3-2 për Trabzonspor pas kohës shtesë.
Rrugën e rrjetës këtë fundjavë e gjeti edhe Jon Mersinaj me skuadrën e tij në Kroaci, Osijek. Një gol historik për mbrojtësin kuqezi, i cili shënoi për herë të parë pas 123 ndeshjesh në kampionatin kroat me Lokomotiva Zagreb dhe Osijek. /tvklan.al