Merkato e verës ka përfshirë edhe futbollistët e Kombëtares. Lajme ka që nga portieri Etrit Berisha. Numri një i Atalantas kërkohet nga francezët e Lille edhe pse është ende nën kontratë me klubin e Bergamos.

Arlind Ajeti është liruar nga kontrata me Torinon dhe është lojtar i lirë në pritje të ofertave. Mbrojtësi kërkon të qëndrojë në Itali. I lirë është edhe Mërgim Mavraj, i cili para pak ditësh mbylli parakohe, me marrëveshje, kontratën me Hamburgun.

Berat Djimsiti pritet të rikthehet tek Benevento, edhe pse po luan në miqësoret e fundit të Atalantas. Ndërsa Elseid Hysaj nuk lëviz. Shkodrani pëlqehet nga traineri Ancelotti, që duket se do t’i besojë të njëjtin pozicion titullari.

Pak ditë më parë Enis Gavazaj u largua nga Skënderbeu për Enisey në Premier League-n ruse. Të qëndrueshëm në klubin e tyre çeçen janë edhe Balaj dhe Roshi. Në Belgjikë Abazaj dhe Guri po paraqiten mirë me gola në miqësore. Rey Manaj u shpreh i kënaqur me kalimin tek Albacete dhe shpreson të jetë titullar.

 Lajmë të reja ka dhe nga Sokol Cikalleshi. Skuadra Osmanlispor ra nga kategoria, por sulmuesi shqiptar mund të qëndrojë në Superligë. Mediat turke publikuan lajmin se Goztepe interesohet për të.

Tv Klan