Denaj: Vitin e ardhshëm fokusi te shëndetësia, rindërtimi dhe rrugët

Paketa e qeverisë për rimëkëmbjen e ekonomisë vitin e ardhshëm do të mbështetet në zerimin e Tatimit mbi Fitimin për Biznesin me të ardhura deri në 14 milionë Lekë në vit dhe përjashtimin nga TVSH të ndërmarrjeve me xhiro 10 milionë Lekë.

Në një intervistë për Televizionin Klan, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, thotë se gjithë pesha që do t’i krijohet buxhetit nga këto nisma nuk do të kompensohet me rritje taksash.

“Nuk do të ketë një paketë fiskale të mirëfilltë në muajt Nëntor-Dhjetor. Kështu që sistemi i taksimit për vitin që vjen është ky që sapo përmendëm”.

Kosto e lehtësive fiskale në ndihmë të biznesit do të përballohet nga mirëadministrimi: lufta ndaj evazionit fiskal, por këtë herë përmes sistemeve.

“Kjo administratë tatimore, që sot është me 1200 punonjës, fokusohet te një pjesë më e vogël numri biznesesh, ato të mesme dhe të mëdha. Kjo është një ftesë për të gjithë, që ky vit të përdoret si një vit tranzicioni, pasi të gjithë investimet që po bëjmë, jo vetëm nëpërmjet ligjeve, por dhe nëpërmjet sistemeve, do t’i gjejnë të përgatitur të paktën nëse fillojnë sot ngushtimin e kësaj hapësire”.

Qeveria do të ketë 3 prioritete kryesore në buxhetin e vitit të ardhshëm: financimin e rindërtimit, mbështetjen e sektorit të shëndetësisë dhe përfundimin e veprave madhore në infrastrukturë.

“Përfundimi i rrugës Kardhiq-Delvinë, financimi i pjesës së mbetur të unazës së “Të treja janë në fokus, rindërtimi, projektet infrastrukturore sic është Unaza e Tiranës, përfundimi i rrugës Kardhiq–Delvinë, Bypass i Tepelenës, Bypass i Shkodrës dhe detyrimet e prapambetura, të cilat sigurisht janë shumë të ulëta dhe të reduktuara krahasuar me 1 ose 2 vite më parë, por duhet të shkojnë drejt 0”.

Anila Denaj shprehet se ekonomia këtë vit do të mbyllet me një recesion rreth -5%, ndërsa vitin e ardhshëm pritet një rritje ekonomike në nivelin 5.8%.

Për të çdo gjë varet nga pandemia, por siguron se në çdo skenar të saj nuk do të ketë një rimbyllje të aktivitetit ekonomik.

“Gjithmonë kemi frikën e një mbyllje të dytë, që ne e kemi përjashtuar në aspekt të mbylljes së ekonomisë edhe më herët, pasi do të ishte një goditje e papërballushme për buxhetin e shtetit dhe ekonominë shqiptare”.

Tv Klan