Qytetarë të shumtë kanë zgjedhur të vijnë në vendin tonë edhe për turizëm

Çdo ditë në portin e Durrësit mbërrijnë rreth 200 persona shqiptarë dhe të huaj të cilët hyjnë në vendin tonë me qëllim turizmin.

Përveç kontrollit të dokumentit identifikues, autoritetet kufitare nuk u kërkojnë pasagjerëve analizën e një tamponi negativ apo nëse janë vaksinuar apo jo. Por e kundërta ndodh për qytetarët shqiptarë të cilët duan të shkojnë në Itali. Ata nuk mund të shkelin në tokën e vendit fqinj si masë kjo për shkak të pandemisë së COVID-19.

Fluks në hyrje dhe dalje ditët e fundit ka patur edhe në pikën kufitare të Muriqanit. Sipas autoriteteve doganore deri në mesditën e së Mërkurës kanë hyrë në vendin tonë 2000 persona ndërsa kanë dalë 3500 qytetarë. Në pikën kufitare punohet me 5 sportele ndërsa fluks më të madh ka kryesisht gjatë fundjavës.

Qytetarët shqiptarë mund të lëvizin lirisht për në Malin e Zi pasi autoritetet e vendit fqinj nuk kërkojnë dokumente shtesë.

Me një numër të kufizuar qytetarët lëvizin edhe në pikën kufitare të Kapshticës. Sipas autoriteteve doganore, në 24 orët e fundit në vendin tonë kanë hyrë 313 persona ndërsa kanë dalë 237 shtetas. Kjo pikë kufitare është e mbyllur deri në datën 7 Qershor për qytetarët shqiptarë veç punëtorëve sezonalë.

Klan News