Prokuroria: Karburanti në rrugën Plepa-Kavajë, burim aksidentesh

Ngritja e këtij karburanti në aksin rrugor Plepa-Kavajë dhe miratimi i lejes për hyrje-daljet e mjeteve në rrugë ka vënë nën hetim 7 zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar në qytetin e Durrësit dhe dy biznesmenë. Policia njoftoi se janë ekzekutuar 2 masa sigurie arrest me burg dhe një arrest në shtëpi, ndërsa 6 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në pranga përfunduan Kastriot Brahaj dhe Lekë Tushajn, ndërsa Agron Hasa do të hetohet në masën e arrestit shtëpiak. Sipas prokurorisë, zyrtarët e arrestuar akuzohen se kanë dhënë leje në kundërshtim me Kodin Rrugor për këtë karburant që ndodhet në kilometrin e tretë të rrugës Plepa-Kavajë, i cili është bërë ndër vite burim për aksidente rrugore.

Ashtu siç shihet edhe në pamje, mungojnë barrierat mbrojtëse që janë hequr për t’i hapur rrugë mjeteve që hyjnë dhe dalin në pikën e karburantit, duke rrezikuar jetën e drejtuesve të mjeteve që lëvizin në këtë aks rrugor. Në sajë të hetimeve ka rezultuar se inxhinierët e ARRSH-së, Agron Hasa, Kastriot Braha, Afërdita Basha e Dhurata Lazaj kanë lejuar ndërtimin e karburantit në kundërshti me ligjin, duke shpërdoruar detyrën.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Spartak Tarkaj, Astrit Zenelaj, Lekë Tushaj me cilësinë e drejtorëve të drejtorive të ARRSH-së që kanë miratuar lejen. Në të njëjtën kohë janë nën hetim për ndërtim të paligjshëm edhe dy administratorët e karburantit Rezart Arkaxhiu dhe Xhevat Vataksi.

Tv Klan