“Stop” ishte në qytetin e Vlorës, për një ankesë të zonjës Tatjana Hoxha. 

Ajo tregoi se prej 30 vitesh banonte në një pallat që u shemb në 1 Qershor 2023. Tatjana thotë se në vitin 2010,  firma “Cobo Sh.p.k” dhe “Hanxhari Sh.p.k” kërkuan leje ndërtimi për pallat.

Firma Cobo e fitoi të drejtën ndaj u prish në atë kohë 1/4 e pallatit. Firma ‘Hanxhari Sh.p.k’ nuk e përdori lejen e atëhershme dhe pas 10 vitesh e rifreskoi lejen në gjykatë.

Zonjës Tatjana, përveçse nuk iu komunikua data e prishjes së banesës, iu tha se shtëpinë e saj e kapte projekti i rrugës, që do të ishte aty. Ndërkohë zonja shpjegon se nuk e kap rruga, por pallati dhe rruga do të ndërtohet në funksion të pallatit.

“Banorët e tjerë kanë marrë nga ndërtuesi, vetëm unë kam mbetur pa marrë dhe isha pa asnjë lloj njoftim, asnjë lloj lajmërimi. Banesa është shprehur më 1 Qershor. Jam jashtë kësaj shtëpie dhe nuk më është dhënë asnjë mundësi se ku mund të jetoj”, tha gruaja.

Marrëveshja e fundit ku zonja do të përfitonte një sipërfaqe të caktuar dhe do të paguante për metrat katrorë shtesë, nuk u realizua, pasi nuk iu vu në dispozocion asnjë dokument, që zonja të krijonte siguri.

Përgjegjësi i buxhetit: Ai me ju duhet të bëjë marrëveshje! Nuk diskutohet, që do bëjë marrëveshje, se nuk ju nxjerr dot në rrugë, sepse e ka ligji të përcaktuar këtë gjë. 

Qytetarja: Po shpronësimi?

Përgjegjësi i buxhetit: Dhe me shpronësim nuk ju nxjerr dot në rrugë, sepse sado me atë vlerë, nuk merrni dot shtëpi. Teknikisht, shpronësimi nuk miratohet, po s’bëri marrëveshje me ju. Do vijë, se e detyron ligji të flasë me ju. Ne leje s’kemi zbardhur dhe as nuk kemi për ta zbardhur, po nuk bëri marrëveshje me ju.

Ndërkohë ish-shefi i Urbanistikës në Bashkinë e Vlorës, i ofron një marrëveshje, duke e këshilluar që lekët e shpronësimit, t’ia japë ndërtuesit dhe të përfitojë apartament. 

Ish-shefi i Urbanistikës: Mos keni ndonjë gjiton tuajin këtu, apo jo? Se s’dua të na dëgjojë njeri! Këtë shpronësimin, që do marrësh do ta merrni dhe t’ia jepni këtij, që do bëjë pallatin e ri! Është vetëm për ty.  Lekët, që do marrësh, do marrësh 34 milionë, sa do marrësh…

Qytetarja: Domethënë, do marr të njëjtën sipërfaqe, që unë kam? 

Shefi i buxhetit Bashki: Po! Siç e ke tani. Po nuk do ta diskutosh me asnjë nga këta të tjerët! Sepse hapet loja edhe… Ata nuk u ankuan, sepse normalisht ajo është me ligj.

Qytetarja shkon në zyrën e Inspektoratit të Ndërtimit Vlorë dhe kërkon shkresën e njoftimit për prishjen e pallatit, por i tregohet një shkresë me protokollin e bashkisë.

Qytetarja: U kam bërë kërkesë edhe tjetër, që nëse e keni juve ndonjë njoftim apo jo. A mund të ma jepni atë njoftimin? U kam bërë në kërkesë shumë gjëra. A më keni kthyer përgjigje? Më jep shkresën të lutem, që unë do shpronësohesha në datën 1 (Qershor). A më the, që do të njoftoj për çdo gjë?

Punonjësja: Po!

Qytetarja: Ku është njoftimi?

Punonjësja: Me sa di unë, ua kam bërë njoftimin.

Qytetarja: Ku? Më jep numrin e protokollit!

Punonjësja: Ja do ta jap numrin e protokollit!

Qytetarja: Sepse posta më thotë mua s’ka asnjë shkresë, ti më thua mua je njoftuar. Unë dua numrin e protokollit, që e ke nisur ti në postë!

Punonjësja: Ky është njoftimi!

Qytetarja: Çfarë njoftimi është ai? Moj ti më jep atë, që ke nisur në postë, jo të ma japësh tani! Atë, që ke nisur në postë!

Punonjësja: Këtë kam unë!

Qytetarja: Ah s’ke njoftimin, atëherë s’ke njoftim. Unë nuk kam dërguar gjë. Kaq thuaj!/tvklan.al