Kemi udhëtuar në Belsh, ku takuam bashkëshortët Kostandin dhe Afërdita Zela. Ata kanë paguar në dorë kontributet për vitet 2005-2007 Afërdita dhe 2005-2013 bashkëshorti i saj Kostandini.

Paratë ia kanë dhënë punonjësit të Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore Belsh, Mustafa Tafani. Ky i fundit, prej vitit 2013 nuk është më në punë dhe nuk përgjigjet për paratë, që nuk i ka derdhur në arkën e Sigurimeve Shoqërore të Elbasanit.

Bëhet fjalë për një total prej 10 vjetësh kontribute në vlerën e 1 milionë e 900 mijë lekëve të vjetra. Bashkëshortët e kanë firmosur librezën dhe kërkojnë njohjen e dokumenteve të tyre të kontributeve.

“Deri në 2005 janë të rregullta, kurse nga 2005 deri në 2013 dalin të pa derdhura kontributet në financa. Pagesën e kemi bërë te Inspektori i zonës, Mustafa Tafani. Ai i mori lekët, vuri dhe vulën, regjistroi edhe në regjistër. Ndërsa tani kur interesohem më thanë a ke mandat, tek Sigurimet Shoqërore. Unë i thashë mandatin nuk e kam, sepse kanë kaluar pak vite, por ama kur bëhen regjistrimet në regjistër e di që ka një numër mandati, bëhen verifikime të rregullta, kam edhe një librezë me firmë dhe vulë të zotërisë”, tregon Kostandin Zela.

“Pas 2005-s nuk na njihet asnjë lloj shifre. Vlera është 1 milionë e 900 mijë lekë të vjetra, 10 vite kontribute. 8 i ka burri im dhe 2 vite i kam unë. Kërkesa jonë është që tek libreza të njihen siç janë derdhur. Nuk kërkojmë as nga shteti, as nga Mustafai, ku i kemi derdhur. Thjeshtë ne duam që ne të na njihen libreza. Me Mustafain kemi vajtur, e kemi marrë dhe në telefon, nuk na del dhe na thotë nuk ju njoh. Kjo gjë na shtyu që t’ju drejtoheshim stafit tuaj”, thotë zonja Afërdita.

Gazetarja e Stop provoi të kontaktonte në telefon me ish-punonjësin e Sigurimeve të Belshit, Mustafa Tafani, por ai nuk u përgjigj.

“Siç ju thashë edhe unë më parë, atij i ka vajtur informacioni që ne kemi ardhur këtu, kështu që ai nuk përgjigjet. Këtë e dija të sigurt”, u shpreh denoncuesi.

Në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore Belsh, inspektori i aktual i të vetëpunësuarve, Florian Lleshi, shpjegon se gjurmë në regjistër ka lënë, ashtu si në libreza, por kontributet nuk janë në financën e sigurimeve të Elbasanit, gjë që i bën pagesat të pavlefshme për drejtorinë.

“E kam marrë detyrën më 18 Qershor të 2016-s, jam Inspektor pranë njësisë administrative Belsh. Veprimet janë hedhur në regjistër, nga 2006 deri në 2012-n pjesa e mëparshme është e konstatuar dhe e gjetur në Financë. Ndërsa pjesa 2006-2012 nuk figuron në financat e Sigurimeve Shoqërore. Në regjistër figuron shumë e saktë. Akt konstatimet që kemi ne, që ka bërë koordinatori, dega e kontributeve në Elbasan, verifikon që kjo periudhë sigurimi që bëhet fjalë dhe personi ankohet nuk figuron në financë të Sigurimeve Shoqërore. Zonja, në regjistër figuron periudha 1994-2007. Faktikisht 1994-2005 janë edhe në regjistër, edhe në financë. Periudha 2006-2007 nuk është. Në regjistër është, në financë jo. Edhe në librezë po e njëjta procedurë.”

Në Sigurimet Shoqërore të Elbasanit, Kryetari i Degës së Kontributeve, Shaban Kumria thotë se është bërë kallëzim në prokurori për rastin dhe njohjen e librezës, do ta vendosë gjykata.

“Qytetari është paraqitur edhe pranë degës tonë të kontributeve për të verifikuar derdhjen e kontributeve. Shikuam edhe njëherë se mos ka ndonjë gabim tek regjistri, te baza jonë dhe pastaj ndërhymë është tek financa. Vumë re që këto lekë, për këto periudha nuk kanë ardhur pranë Sigurimeve Shoqërore. Këto lekë janë dhënë dorazi nga qytetari, i janë dhënë ish-inspektorit tonë Tafanit. Theksojmë që kjo gjë nuk lejohet, që dhe qytetari t’i japë lekë në dorë inspektorit, por edhe inspektori nuk duhet të pranonte kurrë marrjen e lekëve në dorë për derdhjen e kontributeve. Qytetari duhet të merrte nga inspektori jonë urdhër veprimi, me këtë urdhër duhet të shkonte në postë ose në bankë për të bërë derdhjet përkatëse dhe atëherë ishte çdo gjë në rregull. Duke u nisur nga gjithë kjo situatë, ne bëmë akt konstatimin dhe pastaj në bazë të këtij akt konstatimi ne kemi bërë denoncim në organet e prokurorisë për t’u ndjekur dhe për t’u sqaruar njëherë e mirë kjo punë dhe secili të marrë hakun e vet. “

Zotërinjtë kërkojnë njohjen e kontributeve, a është e mundur kjo gjë?

“Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore nuk ka tagër që të njohë këto lloj kontributesh. Janë organe të tjera kompetente, gjykata, që do vendosë si do të veprohet në këtë lloj rasti”./tvklan.al