Bie 3% ndaj Euros këtë muaj, Dollari më i fortë

Monedha kombëtare është zhvlerësuar me 3% përballë Euros dhe me afro 5% ndaj Dollarit amerikan gjatë dy javëve të fundit, që prej marrjes së masave nga ana e qeverisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri. Në fillim Marsit një Euro këmbehej me 122.7 Lekë, ndërsa sot shitet me 123.8, duke iu afruar vlerës 124.

Ekspertët e ekonomisë e shohin këtë dukuri si kontradiktore nëse lidhet me situatën aktuale u shumica e qytetarëve kanë rritur konsumin, por ata thonë se investitorët në tregun e brendshëm kanë vendosur që në këtë periudhë pasigurie të pozicionohen te monedhat e forta.

“Është një periudhë pasigurie dhe shohim një tendencë të investitorëve të pozicionohen në monedhat e forta. Një tjetër dukuri mund të jetë edhe rritja e importeve nga jashtë tashmë që çmimet disa lëndëve janë të ulëta, ose për nevoja të materialeve mjekësore. Por kjo duket pak kontradiktore, se kemi konsumin në rritje, njerëzit po shpenzojnë dhe po konvertojnë valutat që kanë.”

Në tregjet ndërkombëtare dollari amerikan nuk ka pësuar humbjet që priteshin pas uljes me 1% të normës së interesit të tij nga Rezerva Federale, ndërsa masat e marra nga Banka Qendrore Europiane kanë mbajtur në këmbë Euron, thonë ekspertët.

“Edhe pse Rezerva Federale uli dy herë interesin e dollarit, ai ka mbetur i fortë në tregje. Edhe masat e Bankës Qendrore Europiane kanë bërë që euro qëndrojë mirë, ndërsa kemi parë dobësim të Paundit, mbase edhe për shkak të marrjes sa masave të vonuara nga qeveria e Johnson.”

Në tregun valutor të brendshëm të gjitha monedhat janë forcuar përballë Lekut. Dollari amerikan këmbehet me 114.4 Lekë, Euro me 123.8 dhe Paundi britanik me 133.5 Lekë. Stërlina angleze pësoi rritje vetëm këtë javë, pas një rënieje të vazhdueshme këtë muaj, ku fillimisht kuotohej mbi vlerën 140 Lekë.

Tv Klan