Greqia u trondit këtë të mërkurë nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ishte rreth 25 kilometra në veriperëndim të Larisës, aty ku banorët dolën në rrugë për shkak të frikës. Lëkundjet u ndjenë në Athinë dhe në disa zona të tjera.

Sipas Qendrës Sizmologjike Europiane Mesdhetare, tërmeti ishte me një thellësi prej 8 kilometrash.

Të frikësuar banorët në Larisa rrëfyen se kishin parë ndërtesat të lëkundeshin dhe pluhur që dilte prej tyre. Lëkundjet u ndjenë edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë e Mal të Zi.

Tërmeti i fortë ra në orën 12:16 minuta me orën lokale dhe u pasua nga pasgoditje të shumta, më e forta me magnitudë 5.2 të shkallës Rihter.

Nuk dihet ende nëse ka dëme, apo të lënduar në njerëz.

Greqia shtrihet në një rajon tepër aktiv sizmologjik, megjithatë pjesa më e madhe e tërmeteve nuk shkaktojnë dëme apo të plagosur.

Tetorin e shkuar, një tërmet që goditi ishulin e Samos në Egje dhe pranë brigjeve turke, vrau 2 persona në Samos dhe të paktën 75 persona në Turqi./tvklan.al