Tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter i së martës shkaktoi tragjedi në Shqipëri. Deri më tani 30 persona kanë humbur jetën.

Por përveç jetëve të humbura dhe dëmeve të mëdha veçanërisht në Durrës dhe në Thumanë, njerëzit janë ende nën shok psikologjik.

Një banore e Thumanës tregoi për tvklan.al se “lëkundjet e tërmetit vetëm në varr do t’i harrojë”.

“Moralisht jemi bërë çfarë të thuash. Kemi përjetuar një dramë të paparë. Ato lëkundjet e tërmetit unë vetëm në varr do t’i harroj. Isha në kat të katërt. Kam pritur derisa të mbarojë tërmeti dhe kam dalë jashtë. Ja siç më sheh. Vesh e pa vesh jam futur në çadër dhe po rri këtu. Se ça do bëhet më vonë, Zoti lart e di”, tha banorja.

Ajo nuk bën ndarje dhe thotë se edhe ata që kanë mbetur gjallë janë njësoj si ata që humbën jetën. Tashmë ajo kërkon nga shteti që të marrë masat e duhura pasi banorët janë në qiell të hapur dhe në mëshirë të Zotit.

“Kjo që na ndodhi ne ishte një fatkeqësi e madhe. Ne kemi përjetuar një gjë jashtëzakonisht të keqe. Unë për veten time… si ata që kanë vdekur, si ata që janë gjallë, njësoj jemi. Jemi vrarë shpirtërisht, një tmerr i paparë. Këto janë fatkeqësi natyrore, ne nuk ishim përgatitur për këtë punë. Sot për sot shteti na është përgjigj, mirëpo është jetë kjo. Ne kemi hallin e çatisë. Ne nuk kemi shtëpi ku të futemi. Ky është problemi aty. Ku do fus kokën, erdhi dimri, fëmijët janë të vegjël. Ky është problemi. çfarë do bëhet. duhet të marrë shteti ndonjë masë se jemi në mëshirë të Zotit”, tha banorja./tvklan.al