Leonard Bombaj flet për situatën e vështirë, që e vuri në qendër të akuzave të rënda



Leonard Bombaj flet për situatën e vështirë, që e vuri në qendër të akuzave të rënda

14:35 29/05/2020

Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme intervistën e veçantë me producentin, regjisorin dhe aktorin e njohur, Leonard Bombaj.

Ai u ndal tek jeta private, por edhe tek ajo profesionale duke treguar gjëra të pathënë më parë. Në karrierën e tij, ai ka patur edhe një moment mjaft të vështirë, që e vuri në qendër të akuzave shumë të rënda.

Ai vendosi të heshtë dhe të lejojë drejtësinë të flasë. Shkak ishte aktorja 15-vjeçare në atë kohë, e cila për shumë vite ishte pjesë e Sireafilm, një shkollë arti për fëmijët e themeluar nga Bombaj.

Megjithëse u përball me një lumë të ashpër akuzash, ndër të cilat edhe akuzat për përdhunim, regjisori dhe familja e tij vendosën që të qëndronin të fortë përballë asaj sfide që i ishte vënë përpara. 

Ditën e sotme u shpreh se shqetësimi ka qenë shumë më i madh, se sa e vërteta që vinte rreth e qark. Për sa i përket mësimit që mori nga gjithë ajo situatë e krijuar, është se duhet të jesh shumë vigjilent. Sipas tij një fëmijë që është adoleshent, dëgjoje, besoje por sa të kthejë kurrizin verifikoje.

Mirela Milori: Dua të ndalem në një moment pak të vështirë të jetës tënde, që mori trajtën e një skandali. Ke shkruar një libër për të, je përballur me drejtësinë. Unë dua të di, kur e shikon nga larg tani atë histori, të interferon, si e shikon gjithë atë histori që e kalove ti?

Leonard Bombaj: Mendimi im i parë që më vjen për të thënë për këtë gjë është që për mua shqetësimi ka qenë shumë më i madh, se sa e vërteta që vinte rreth e qark. Domethënë njerëzit që donin të sitnin historinë. Duhet të tregohesha ndoshta edhe shumë më i qetë. E thënë drejt unë dialog me mediat nuk kam patur, për këtë kam patur konsulentë edhe nga Prokuroria që kanë thënë historia të jetë këtu, mos u bëj pjesë e medias. Në mënyrë të tillë është mbyllur pak a shumë. Për sa i përket mësimit që mora ishte që duhet të jesh shumë vigjilent, shumë i distancuar, më mirë duhet të them, mësimi që mora për fëmijët dhe për prindërit. Një fëmijë që është adoleshent, dëgjoje, besoje, por sa të kthejë kurrizin verifikoje. Kjo ishte një nga gjërat, pastaj gjërat e tjera, përderisa dihet kush ishte kundra kujt, e lashë vetë si të thuash, edhe drejtësia të bënte punën e vet dhe opinioni të bënte punën e vet. Megjithëse pala tjetër filloi në fillim të bënte plot..

Mirela Milori: E qartë, por kanë kaluar shumë vjet, edhe pala tjetër tani është rritur, tani është në moshë madhore. Nuk e di, Tirana është edhe qytet i madh, por edhe i vogël, jeni hasur më, flisni më, apo nuk keni asnjë kontakt?

Leonard Bombaj: Jo, unë ngaqë jam dhe një njeri që vetëm eci punoj dhe rrallë më shikon nëpër rrugë, nëpër këmbë.

Mirela Milori: Nuk jeni hasur më?

Leonard Bombaj: Jo nuk jemi hasur më. Tek unë ekziston vetë, është profesioni jonë, që ne jemi njerëz që jo harrojmë, por duke punuar… Nuk dua të merrem gjatë më të gjithë palët që janë kundërvënë. Në fund të fundit, drejtësia i vuri të gjitha gjërat përpara, doli se kush u dënua me burg, kush i bëri dhe nuk i bëri. Kështu që unë u mora me punën time, aq më tepër përgjigjja e tërë këtyre viteve është kjo, po merrem po më të njëjtën gjë, nuk ka përgjijge më të madhe se kaq. Po merrem po më të njëjtit njerëz, po me të njëjtën grupmoshë me gjëra të reja.

Mirela Milori: Një gjë që mua më ka bërë përshtypje ka qenë familja jote.  Esmeralda, bashkëshortja jote doli vërtet një zonjë në gjithë këtë histori. Si e kujtoni, nëse ndonjëherë i ktheni sytë në këtë histori?

Leonard Bombaj: Alda në reagimin e kësaj historie është një vajzë që demostroi menjëherë atë gjë, që sot duhet shumë tek njerëzit, inteligjenca emocionale. Mund të kesh inteligjencë profesionale, intelektuale sa të duash, por inteligjenca emocionale është një gjë që duket se është një aset, që trashëgohet në farefisin tënd, e cila përkthehet në dëgjim, përkthehet në mirëkuptim, përkthehet në qëndrim afër. Dhe unë jo më kot e kam quajtur Aldën, që je vepra ime më e mirë e projekteve që kam bërë deri më sot. Është porti në çdo stuhi dhe është prehri në çdo pagjumësi./tvklan.al



Të ngjashme