Një banor i lagjen Nr.1 në rrugën e “Bilbilave” në Korçë ka rrëfyer momentet e përleshjes së grabitësve me kambistin të cilit i vodhën paratë me forcë.

Kanë qenë 3 persona të cilët nën kërcënimin e armës grabitën kambistin Sh.M. përpara banesës së tij. Ky i fundit u konfliktua fizikisht me grabitësit, ndërsa njërin prej tyre arriti ta kapte. Në ndihmë të tij dolën edhe banorë të tjerë të kësaj lagjeje.

Njëri prej dëshmitarëve ka treguar se autorët ishin me armë. Ata madje kërcënuan kambistin dhe banorët e tjerë të lagjes që të lëshonin bashkëpunëtorin e tyre, të cilin e kishin kapur.

“Lëshoje ose do t’ju vrasim”, kërcënuan dy grabitësit e tjerë. Por kambisti refuzoi që ta lëshonte, ndërsa të tjerët u larguan nga vendngjarja me makinë.

“E kishin kapur atë e kishin vënë poshtë, një nga ata hajdutët. E mbanin, u njoftua policia. E hoqëm ne këtë të zotin që i kishin marrë paratë. Paratë ia morën, i morën çantën. Armë kishte se i kishte parë e shoqja që i kishin treguar pistoletën. “Ose lëshoje ose ju vramë”, këta nuk e lëshuan. Vrae i tha, po nuk e lëshoj. Doli e gjithë lagjia, dolën 50 veta në ndihmë. Katër herë të tjera e kanë grabitur”, rrëfen dëshmitari.

Në vendngjarje shkoi menjëherë policia, duke arrestuar njëri nga grabitësit që e kishin kapur banorët dhe vetë kambisti. Edhe gjatë ndalimit nga uniformat blu, grabitësi bëri rezistencë. Ai ka pësuar lëndime nga përleshja dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, policia është duke vijuar hetimet për të kapur dy grabitësit e tjerë. Nuk dihet ende shuma e parave që ata kanë marrë. /tvklan.al