Dhjetra personalitete greke kërkojnë nga lideri i opozitës Kyriakos Mitsotakis, që të anulojë Marrëveshjen e Prespës në rast se do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Greqisë pas zgjedhjeve të 7 Korrikut.

Letra e hapur kërkon që në rreshtat e parë që lideri i opozitës greke të bëhet, siç shkruajnë, “flamurtari i anulimit të kësaj marrëveshjeje të rëndë për Greqinë”.

Shumica e grekëve e perceptojnë Marrëveshjen e Prespës si një humbje kombëtare dhe katastrofë, nënvizohet në letrën e nënshkruar nga pedagogë, historianë, ushtarakë, juristë, diplomatë dhe biznesmenë, dhe që është nisur nga Selaniku.

Ata i bëjnë thirrje zotit Mitsotakis që ta shpallë vendimin e tij për anulimin e Marrëveshjes së Prespës, para zgjedhjeve të 7 Korrikut.

“Është e sigurt që populli grek do t’ju shpërblejë me votën e tij”, nënvizohet në këtë letër që u publikua pasditen e të shtunës në portalin e gazetës konservatore ‘Kathimerini’.

Sipas tyre, “marrëveshja shkel Kushtetutën e Greqisë, por edhe parime themelore të së drejtës ndërkombëtare”.

Ende nuk ka ndonjë reagim nga ana e partisë më të madhe opozitare greke, Demokracia e Re, kryetarit të së cilës i drejtohet letra e hapur. Demokracia e Re e ka kundërshtuar në mënyrë konstante Marrëveshjen e Prespës.

Mirëpo Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar vazhdimisht që përderisa marrëveshja është votuar nga Parlamenti, një qeveri e drejtuar prej tij do të kujdeset që ajo të zbatohet në mënyrë sa më korrekte dhe gërmë për gërmë. Gjithsesi, publikimi i letrës së hapur është dhe një sfidë për liderin e opozitës, i cili deri tani duket se u ka rezistuar tundimeve populiste.

Tv Klan