Ushtria shqiptare pëson një tjetër humbje pas vdekjes së nëntetares Zarife Hasanaj. Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forward Presence”, Major Klodian Tanushi, i cili u plagos rëndë gjatë çaktivizimit të minave në Letoni humbi betejën me jetën . Prej të hënës ai ndodhej i shtruar në spital në gjendje kritike për jetën, por megjithë trajtimin e specializuar nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Pak ditë më parë ai ishte vizituar në spital nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka. Prindërve të majorit, që jetojnë në Tirane lajmin ua dha Shefi i Shtabit te Përgjithshëm, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.Në një postim në rrjetet sociale ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka ndau dhimbjen me familjarët duke thënë se Major Klodian Tanushi do t’u mungojë jo vetëm atyre, por të gjithëve që patën fatin ta njohin.

“Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forëard Presence”, major Klodian Tanushi humbi pak çaste më parë betejën e fundit me jetën. Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim. Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë!”.

Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni ishte një ushtarak me përvojë dhe karrierë të vlerësuar në forcat e armatosura. Ai ishte një nga specialistët më të mirë në asgjesimin e municioneve luftarake.

Në Dhjetor të vitit të kaluar  ai mori detyrën për të udhëhequr  misionin Ushtarak të NATO-s në, Letoni me afat qëndrimi 6-mujor. Major Klodian Tanushi është vlerësuar me disa medalje për kontributin e dhënë në misionet brenda dhe jashtë vendit. Ai  ishte baba i tre fëmijëve, dy djem dhe një vajzë.

Një ditë më parë u përcoll për në banesën e fundit edhe nëntetarja Zarife Hasanaj e shpallur Dëshmore e Atdheut. Nga ngjarja e 6 Majit u plagos edhe rreshteri Julian Kapaj që ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Tv Klan