Mes nënshkruesve edhe Kryeministri Edi Rama

Liderët botërorë thonë se shtetet duhet të koordinohen për të mbrojtur shëndetin e gjeneratave të ardhshme dhe të përgatiten për pandemitë në të ardhmen.

24 liderë, përfshirë kryeministrin britanik, Boris Johnson, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, ashtu sikurse edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, në një letër të hapur thonë se Covid-19 është “një tregues i zymtë dhe i dhimbshëm që askush nuk është i sigurtë deri kur të gjithë të jenë të sigurt”.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike The Independent, në letër kërkohet një traktat për parapërgatitje dhe përgjigje ndaj situatave pandemike, si nevojë për të luftuar krizat shëndetësore në të ardhmen, duke shtuar se një përkushtim i ri kolektiv do të siguronte vaksina të përballueshme dhe efikase, ilaçe dhe diagnostikim më të efektshëm në gjithë botën.

Liderët thonë se ka ende shpresë që bota të mund të ndërtojë një sistem ndërkombëtar shëndetësor të fortë që do të mbronte gjeneratat e ardhshme.

“Ne besojmë se kombet duhet të punojnë së bashku për një traktat për parapërgatitjen dhe përgjigjen ndaj pandemive. ”

“Në një kohë kur Covid-19 nxori në pah dobësitë dhe ndasitë tonë, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të bëhemi bashkë si komunitet global për një bashkëpunim që shtrihet përtej krizës”, theksohet ndër të tjera në letër./tvklan.al