Letra për familjen Qoqja: Ndihmoje sepse po ta kapin e zhdukin


Letra për familjen Qoqja: Ndihmoje sepse po ta kapin e zhdukin

14:27 27/01/2020

Emisioni “Historia ime” në Tv Klan, ditën e sotme e vendosi fokusin tek një nga masakrat më të mëdha të njerëzimit. 27 Janari shënohet në kalendar si Dita Ndërkombëtare e Holokaustit.

Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit është i ditur botërisht. Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore.‪

Me një humanizëm tejet bujar, gati deri në heroizëm shumë familje shqiptare strehuan në shtëpitë e tyre hebrenjtë, duke i fshehur dhe duke mos i dorëzuar kurrë.

Një prej tyre është familja Qoqja, e cila ka ndihmuar dhe strehuar në shtëpinë e saj një hebre me emrin Avram. Fatos Qoqja ka treguar në studio se babai i tij ka rrezikuar jetën e gjithë familjes për të ndihmuar dhe strehuar hebreun e ardhur nga Janina e Greqisë.

Mirela Milori: Ju nuk kishit lindur, por babai juaj merr një hebre në shtëpinë e tij. Si ndodhi?

Fatos Qoqja: Avrami erdhi me rekomandim nga Vlora, nga njerëzit e tij, se kishte njerëz nga Vlora. Erdhi nga Janina e Greqisë, meqë qeveria kuinslinge greke atëhere ka çuar 1700 e ca hebrenj, në kampin e shfaqrosjes. Një miku i vet e kishte lajmëruar dhe ai kishte ikur për gjithë natën dhe ka shkuar në Vlorë. Aty ka dalë një miku i babait që e ka rekomanduar dhe ne kishim një dyqan tek 15-katëshi. Babi kishte një rrobaqepsi, kishte 10 punëtorë aty dhe ai drejtonte gjithçka. Avrami u paraqit dhe i dha letrën. Letra tregonte: Është një miku im hebre mundësisht ndihmoje sepse po ta kapin gjermanët e zhduknin. Vjen nga Janina dhe ka pësuar një tragjedi të madhe nga andej. Babai nuk e zgjati fare, janë prezantuar, u mirëkuptuan se e flisnin të dy greqishten. I tha nuk të lë këtu, por ti do vish në shtëpi.

Mirela Milori: Sa vjeç ishte Avrami në atë kohë?

Fatos Qoqja: Mendoj se ishte 25 ose 26 vjeç!

Mirela Milori: Dhe e morën në shtëpinë e tyre?

Fatos Qoqja:  Babai bëri dhe një gjest tjetër, duhej ti nxirrte patjetër çertifikatën.

Mirela Milori: Avrami nuk dilte, e mbanit në shtëpi të fshehur?

Fatos Qoqja: Po e mbajti në shtëpi, por më vonë babai i bëri një çertifikatë me emrin Gani. Kur u bë gjendja shumë keq, tek dispenseria ishte një garnizon gjerman, babai e vesh si fshatar merr motrën dhe nënën time dhe Avramin dhe kalojnë. Nuk i trazuan. Pastaj shkuan në Mukje të Krujës.

Fatos Qoqja: Me mbiemrin tuaj?

Fatos Qoqja: Po me mbiemrin tonë!

Më tej, Fatos Qoqja tregon se kur Avrami do largohej i jep 500 napolona flori pët mbështetjen dhe ndihmën e dhënë, por babai i tij nuk i pranon.

Fatos Qoqja: Beqir i tha këto janë të tuat dhe të familjes tuaj. Jo në asnjë mënyrë i tha babai.

Mirela Milori: Nuk mori babai asnjë?

Fatos Qoqja: Jo! Unë ta kam bërë për miqësi, jo për para.

Babai i tij mori një dekoratë nga shteti i Izraelit për ndihmesën që dha duke mbajtur Avramin gjatë holokaustit në shtëpinë e tyre dhe një tjetër si qytetar nderi i Tel Avivit./tvklan.al

Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi