Gjenerali francez i kërkon ushtarëve të japin dorëheqjen në mënyrë që të shprehin lirisht idetë e tyre

Shefi i shtabit të ushtrisë franceze u ka kërkuar ushtarëve të japin dorëheqjen nëse ata nënshkruajnë një letër që paralajmëron për një luftë civile të shkaktuar nga ekstremizmi fetar në vend.

Nismëtarë janë disa gjeneralë, të cilët i bëjnë thirrje presidentit Macron të veprojë kundër shthurjes së Francës që po rrezikohet nga rryma të ndryshme ekstremiste, kryesisht ato islamike. Ata paralajmëronin se do të ndërhynin në mbrojtje të vlerave të qytetërimit perëndimor të vendit.

Gjenerali François Lecointre i drejtoi letrën më të fundit në një mesazh personelit ushtarak. “Hapi më i arsyeshëm është sigurisht të largoheni nga institucioni në mënyrë që të shprehin lirisht idetë dhe bindjet e tyre,” tha ai në mesazhin e tij, sipas raporteve të mediave franceze.

Gjenerali akuzoi personelin e shërbimit  se bindjet e tyre personale kishin përfshirë ushtrinë në një debat të padëshirueshëm politik. Letra e hapur mban firmat e mbi 50 gjeneralëve në pension dhe më shumë se 24 mijë pjesëtarëve aktual të personelit të forcave të armatosura, bëri që të jepet alarmi nga frika e një grushti të mundshëm shteti.

Mendohet se ajo mund të jetë shkruar nga ushtarë të cilët thanë se preferonin të mbeteshin anonimë nga frika e ndëshkimit. Autorët e letrës e përshkruan veten si pjesë e një brezi të ri ushtarësh që kanë shërbyer në Afganistan, Mali dhe Republikën e Afrikës Qendrore, ose janë bashkuar me operacionet e brendshme anti-terrorizëm.

Franca ka propozuar kohët e fundit një projektligj të diskutueshëm për të trajtuar atë që presidenti Macron e ka përshkruar si separatizmi Islamist. Sidoqoftë, disa kritikë si në Francë ashtu edhe jashtë saj kanë akuzuar qeverinë për shënjestrimin e padrejtë të Islamit.

Klan News